Kosova nuk ka territore për të negociuar. Deklaratën e bëri në Shqipëri, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas takimit me homologun shqiptar Gramoz Ruçi.
Rruga e vetme që po ndjek Kosova është dialog për moscënim të integritetit territorial theksoi kryeparlamentari i Kosovës për të cilin ajo çka më shumë rëndësi për shtetin shqiptar është mungesa e unitetit.
Nuk kam dëshirë që asnjë nga ju, media të nderuara pretendimet serbe ti mbartni në realitetin tonë. Ato nuk kanë vend, u kemi dhënë përgjigjen e merituar atëherë kur është dashur. Populli jonë dëshiron paqe, fqinjësi të mirë me gjithë shtetet që na rrethojnë por shtetësia jonë është e panegociueshme për aq sa është territori”, tha Veseli.
Nuk ka asnjë opsion tjetër. Ajo që e pengon Kosovën është mungesa e unitetit. Asnjë deklaratë nuk e dëmton më shumë Kosovën sesa mungesa e unitetit.
“As nuk mundet Vuçiçi ta shkatërrojë shtetësinë tonë, sovranitetin tonë me ardhjen e tij në Kosovë. Ne ndërkohë asnjë deklaratë nuk e dëmton Kosovën më shumë se mungesa e unitetit”, u shpreh Veseli.
Të njëjtin mesazh përcolli edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pa kursyer mbështjen për arritjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe diskutimet në këtë fazë të dialogut duhet të konfirmojnë natyrshëm arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifetar siç përcaktohet qartë në Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Ruçi.
Kryenegociatori i propozuar nga qeveria e Kosovës për të dialoguar me Serbinë është zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Gjatë vizitës në Kosovë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u shpreh se Lista Serbe nuk e pranon Limajn si kryesues të delegacionit kosovar me pretendimin se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë serbe./abcnews.al