Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndodhet në Varshavë, Poloni, në Samitin e Kryeparlamentarëve të Europës Qëndrore e Lindore. Gjatë fjalës së tij në aktivitet, Ruçi kërkoi përfshirjen e Kosovës në mbledhjen e ardhshme të këtij Samiti. “Serbia dhe Kosova kanë nisur vitet e fundit dialogun për zgjidhjen e problemeve midis tyre, dialog te cilin Shqipëria e mbështet fuqimisht”, u shpreh Ruçi. Më tej kryeparlamentari shqiptar i bëri thirrje Samitit për krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës, duke mundësuar pjesëmarrjen në këto nisma rajonale edhe të Kosovës. Ruçi falenderoi parlamentet e vendeve pjesëmarrëse për mbështetjen që u dhanë qeverie të tyre për qëndrim pro hapjes së negociatae me Shqipërinë dhe theksoi se bashkëpunimet rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë.
Në Samitin që zhvillohet në 12 dhe 13 korril kreu i Kuvendit shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla. /abcnews.al