Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve, duke theksuar se prioriteti i Shteteve të Bashkuara mbetet përfundimi i luftës në Ukrainë.
“E kemi bërë të qartë: nëse ka ndonjë rol që mund të luajmë për t’i dhënë fund kësaj lufte, duam të luajmë një rol konstruktiv”, tha Rubio.
I pyetur për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, kryediplomati amerikan tha se “nuk ka një përgjigje të qartë”, duke lënë të hapur mundësinë që kjo çështje të shqyrtohet në një fazë të mëvonshme.
Deklaratat e Rubios vijnë në një kohë kur përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë po përballen me vështirësi.
“Natyrisht, po i ndjekim zhvillimet dhe ajo që po shohim tani nuk po shkon në atë drejtim”, tha Rubio gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Islandës në Reykjavik.
Rubio theksoi se administrata amerikane synon të luajë një rol konstruktiv në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, ndërsa çështjet që lidhen me statusin e Ukrainës dhe sigurinë e saj do të varen nga zhvillimet e mëtejshme të negociatave.


