Rrugorja me “dorë të hekurt”, gjatë 2 javëve të korrikut, 144 gjoba në Rrugën e Kombit

schedule09:33 - 15 Korrik, 2023

schedule 09:33 - 15 Korrik, 2023

Policia Rrugore ka vendosur 144 gjoba në Rrugën e Kombit përgjatë 2 javëve të para të muajit korrik. Mësohet se shkak është bërë shpejtësia e tej normave të lejuara.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”.

Njoftimi i Policisë:

Policia Rrugore/Mos shpejtoni të arrini detin, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin!

Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8”.

Gjatë 2 javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre:

-135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor;

-9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit.

  • Në fundjavë, në çdo aks ka radarë.
  • Udhëto me jetën në mendje! Destinacioni pret.
  • Nëse konsumon pije alkoolike gjatë fundjavës, mos drejto automjetin, por përdor mjetet e transportit publik!
  • Hiq celularin nga dora!
  • Shto vigjilencën!

Policia qendron në rrugë për të të këshilluar dhe për të të ndihmuar. Qëllimi i vetëm i Policisë Rrugore, mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të përdoruesve të rrugës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!