Ish futbollisti Afrim Tole thotë se ekipi kombëtar shqiptar bëri një paraqitje shumë të mirë në EURO 2024 dhe se nuk është diçka e pakët që të luash në një grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Në një intervistë për ‘Sport Center” në ABC News, Tole u shpreh se në ndeshjen me Kroacinë, Shqipëria mund t’ia dilte, nëse zëvendësimet do ishin bërë në kohën e duhur.
Sipas Toles, ekipi kombëtar shqiptar ka të ardhme, teksa shtoi se trajneri Sylvinho dhe stafi duhet të ulen dhe të bëjnë analiza.
“Të luash në një grup ferri nuk është pak. Flas fjalët më të mira edhe pse duhen bërë analiza. Nuk justifikoj askënd, por kanë bërë përgatitje shumë të mirë. Ka gjëra për të rregulluar. Trajneri duhet të japë argument pse nuk luajtën ata lojtarë që në pak minuta me Kroacinë krijuan raste. Sinqerisht, jam shumë i kënaqur me çdo gjë të ekipit kombëtar, ashtu edhe me tifozërinë. Është model. Ajo që i mungon kombëtares, është analiza për të ardhmen. Ky ekip ka një të ardhme, duhet përgatitur ndryshe. Nuk jam i zhgënjyer. Ndeshja me Kroacinë tregoi se mund t’ia dilnim, nëse zëvendësimet do ishin bërë në kohë. Uroj dhe besoj se Sylvinho do ulet të bisedojë dhe të shohë të ardhmen e ekipit kombëtar”, theksoi ai./abcnews.al