Rrugë e re në Tiranë/ Veliaj: Gjatë verës investime në çdo lagje

schedule14:31 - 9 Gusht, 2018

schedule 14:31 - 9 Gusht, 2018

Pas ndërtimit të rrethrrotullimit te ri qe lehtësoi trafikun në gjithë Komunën e Parisit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e një rrugë të re. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se gjatë verës investimet do të shtrihen në çdo lagje.

Një rrugë e re ka nisur të ndërtohet në “Komunën e Parisit” në Tiranë. Ajo do të lidhë rrethrrotullimin e ri tek “Medar Shylla” me rrugën “Robert Shvarc”.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj  inspektoi punimet që po kryhen në këtë segment, ndërsa theksoi se kjo zonë, ndër më të mëdhatë në kryeqytet do të pajiset me të gjithë infrastrukturën e duhur urbane për të qenë një lagje model.

“Filluam me Unazën e Re, pra një aks nga Shkolla Teknologjike, Fabrika e Miellit dhe deri në Farkë, që sistemon të gjithë ata që janë tranzit nëpër këtë zonë. Më parë i gjithë ai trafik shkonte mes përmes Komunës së Parisit. Vazhduam pastaj me hapin e dytë, sistemimet nëpër lagje. Siç e dini, rrethrrotullimi i madh i Komunës së Parisit dhe rrugët me sens unik e kanë bërë një mini-unazë të gjithë këtë lagje, duke qetësuar trafikun midis autostradës dhe stadiumit “Dinamo”. Ndërkohë, tani po hyjmë në nivel kapilar, në çdo lagje”.

Bashkia e Tiranës theksoi kryebashkiaku po shfrytëzon periudhën e verës, kur shume qytetarë janë larguar me pushime, për të vijuar me intensitet punimet në një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore.

“Po kalojmë gjithë verës me forca të shtuara në terren, qofshin ato të bashkisë apo të kontraktorëve, që kur qytetarët të kthehen nga pushimet e tyre në shtator, para se të fillojë viti i ri shkollor, punët publike të kenë mbaruar. Do të kemi një sprint në këtë vit të fundit të mandatit tonë të parë, por unë besoj se diferenca, qoftë edhe në këtë lagje, është si dita me natën me atë që trashëguam. Sigurisht, e mira nuk ka fund, ndaj edhe do të fokusohemi që tani që kanë mbaruar akset kryesore, vëmendja më e madhe të jetë në zonat informale, në zonat periurbane dhe sidomos në zonat rurale”.

Rruga e re ka një gjerësi prej 23.5 m, ndërsa do jetë e pajisur në të dy krahët me korsi të dedikuara për biçikletat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!