Rruga Tiranë-Elbasan/ Ish-ministri Dervishaj merret në pyetje nga Krimet e Rënda

schedule17:41 - 20 Shkurt, 2018

schedule 17:41 - 20 Shkurt, 2018

Pa kaluar 24 orë nga momenti kur ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, dha shpjegime në Prokurorinë për Krimet e Rënda një tjetër ish-ministër kaloi pragun e këtij institucioni.

Ai ishte pasardhësi i tij tek Transportet, Sokol Dervishaj. Arsyeja e paraqitjes në Prokurori ishte e njëjta.
Dervishaj u pyet në lidhje me hetimin e nisur ndaj tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar të akuzuar për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre” gjatë ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Ish-ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dervishaj, mbërriti në Prokurori në 14:50 të së martës. Për gati 1 orë e 45 minuta, ai iu përgjigj pyetjeve të prokurores, Elisabeta Imeraj.

Ai është pyetur mbi rrethana të procedurave të ndjekura nga ana e ministrisë dhe institucioneve të varësisë gjatë zbatimit të projektit të segmentit Tiranë-Elbasan.
Jashtë Prokurorisë, Dervishaj nuk pranoi të japë asnjë koment mbi dëshminë e dhënë prej tij.

Hetimi që ka çuar në qeli tre ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, Albens Alite dhe Askel Qurduka nisi në fund të vitit 2017, pas një kallëzimi nga ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. Një audit i kësaj ministrie zbuloi se kishte ndryshime të kontratës bazë të ndërtimit të rrugës, pa iu miratuar në Këshillin Teknik dhe pa marrë mendimin e Avokaturës së Shtetit. Sipas Prokurorisë, këto veprime kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në mbi
37 milionë dollarë.

Për llogari të këtij hetimi, në ditët në vijim do të pyeten të tjerë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve, mes të cilëve edhe ministri aktual, Damian Gjiknuri./abcnews.al