Rruga Tiranë-Elbasan/Haxhinasto në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

schedule13:34 - 19 Shkurt, 2018

schedule 13:34 - 19 Shkurt, 2018

Ish- ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, u mor në pyetje për rreth 1 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me procedurat e ndjekura në ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Deri tani për këtë çështje janë në hetim ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika dhe 2 ish-vartës të tij.

Hetimi i nisur ndaj tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar
për abuzime me fondet gjatë ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan solli të hënën në Prokurorinë për Krimet e Rënda ish-ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Për gati një orë, ish-zyrtari i lartë dha shpjegime para prokurores, Elisabeta Imeraj, për procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të rrugës për kohën, kur ai drejtonte ministrinë që kishte në varësi ARRSH-në.
Haxhinasto, aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim
ishte i vetëm në institucionin e akuzës.
Në dalje, ai rrëfeu se për cfarë u pyet, por nuk dha detaje në lidhje me përgjigjet e dhëna.

Deri më tani, Prokuroria për Krimet e Rënda ka tre ish-zyrtarë të Rrugëve nën hetim për këtë çështje, ish-kreun e ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe dy ish-vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qurduaka. Ata po hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”. Sipas Prokurorisë, tre ish-zyrtarët përmes veprimeve dhe mosveprimeve kanë lejuar ndryshime të kontratave fillestare duke i shkatuar buxhetit të shtetit një dëm financiar që llogaritet në gati 37 milionë dollarë.

Në një prononcim të bërë disa ditë më parë, kur emri i tij u lakua si një nga personat që po verifikohej nga Prokuroria, Haxhinasto u shpreh se ishte i hapur për çdo hetim.
Në ditët në vijim në Prokurorinë për Krimet e Rënda pritet të pyeten të tjerë ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!