Rikthehet në Durrës komedia “Rruga pa emër”. Shfaqja, me regji të rumunit Vlad Trifas, do të mbahet me 25, 26 dhe 27 Tetor në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Aktori Romir Zalla, i cili luan personazhin e Gjonit në komedi, dha më shumë detaje në një intervistë për emisionin “ABC-ja e mëngjesit”.
Aktori tha se në fokus është aventura e dy shokëve të ngushtë, të cilët nisen për të rigjetur dashurinë e humbur prej kohësh, por që gjatë kësaj aventure, ata hasin të papritura të paimagjinueshme gjatë rrugës. Zalla u shpreh se komedia i ka të gjitha elementet dhe ka marrë shumë feedback-e pozitive.
“Është shkruar rishtas për këtë rast të bashkëpunimit të Vlad Trifas me teatrin e Durrësit dhe është një pjesë që në thelb ka të bëjë disi edhe me aktualitetin, e ngritur paksa në art, sepse ka pak element të teatrit magjik. Në pamje të parë, duket si histori banale e dy shokëve që i rrëmbejnë makinën një personi të gabuar dhe nisen drejt një destinacion, njëri për ta shitur dhe tjetri për të takuar ish të dashurën e gjimnazit. Në këtë rrugëtim, takohen me shumë njerëz, një ndër ta edhe personazhin e Gjonit që luaj unë. Është komedi e zezë, jo totalisht dramë. I ka të gjitha ngjyrat. Them se shfaqja është një spektakël me të gjitha komponentët. Nuk mbetet pesha vetëm te teksti apo te karakteret që luajnë. Skenografia është e mirë, muzika është e jashtëzakonshme. Pata komente të tipit se na dukej sikur ishim në një teatër jashtë dhe jo në Durrës.”, u shpreh Zalla./abcnews.al