Rruga e spitalit të Sarandës me 2 sense kalimi, rrezikohen kalimtarët: Pengohet lëvizja e autoambulancave

schedule14:25 - 5 February, 2020

schedule14:25 - 5 February, 2020

Bashkia e Sarandës që prej 19 dhjetorit vendosi që rruga e cila të çon drejt spitalit të qytetit të bëhej me dy kalime. Që prej asaj periudhe kjo rrugë është bërë shumë problematike, pengohet lëvizja e autoambulancave me të sëmurë dhe makinat kanë vështirësi në qarkullim pasi është rrugë e ngushtë.

“Punojmë me pacientë me aftësi të kufizuara, është problem pasi duhet të kemi mundësi ku të kalojmë, shpeshherë është bërë burim aksidentesh”, thotë një prej mjekëve.

Kjo rrugë e ngushtë me 2 sense kalim ka ndikuar negativisht dhe për sipërmarrësit.

Ata janë të parët që janë ankuar pranë Bashkisë së Sarandës dhe tregojnë për “ABC News” pengesat me të cilat po përballen.

“Kemi ankesa për rrugën që është bërë me dy kalime na thanë të bëjmë kërkese më pas na thanë që do të na linin një takim, për momentin nuk kemi asnjë marrë asnjë përgjigje. Rruga është e vështirë, bizneset thuajse po falimentojnë”, u shpreh një prej sipërmarëseve.

Qarkullimi i mjeteve në mënyrë kaotike është bërë i rrezikshëm edhe për nxënësit e shkollës 9 Nëntori.

Bashkia e Sarandës vendosi që kjo rrugë të jetë me dy sense kalimi pas mbylljes së kalimit në Rrugën e “Flamurit” dhe vendosjes së Pemës në qendrën e qytetit. Ky ndryshim deri më tani ka sjellë vetëm probleme./abcnews.al