Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Provokacija” nga Mustafa Nano foli rreth protestës së qytetarëve të Kukësit për tarifën në Rrugën e Kombit.
Detyra e opozitës është menaxhimi i pakënaqësisë qytetare, sepse, sipas Boçit, shoqëria akoma nuk ka nuk ka arritur atë fazën e pjekurisë së saj.
“Detyra e një opozite është menaxhimi i pakënaqësisë dhe i protestës qytetare sepse qytetarët dhe shoqëria civile e jona, siç ju e mendoni dhe e shprehni, nuk ka arritur atë fazën e pjekurisë së saj që të jetë e pavarur nga idetë bindjet politike”, tha deputeti i PD-s.
Më tej, Luçiano Boçi shtoi se kur opozita qëndron pranë qytetarëve nuk duhet shikuar si shqetësim, lidhur me mbështetjen që ka treguar drejt rastit të protestës.
“Por ka dhe një gjë. Në qoftëse protesta kërkon zgjidhje politike atëherë detyra e opozitës është që të jetë pranë qytetarit dhe kur e bën opozita këtë nuk duhet të jetë shqetësim, duhet të jetë e mirëpritur”, u shpreh deputeti Boçi./abcnews.al