Me një seancë me ritëm të lartë, që zgjati 1 orë e 30 minuta, kombëtarja e Shqipërisë mbylli përgatitjet në Tiranë përpara se të udhëtonte drejt Londrës, ku më 21 mars në “Wembley” do të luajë kundër Anglisë ndeshjen e parë në kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Sipas programit të përgatitur nga stafi teknik, seanca stërvitore ishte e ndarë mes përgatitjes atletike dhe më pas me te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, përfshirë edhe goditjet në portë.
Ashtu siç pritej Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli kishin një program të diferencuar stërvitor për shkak të problemeve fizike, duke shtuar dyshimet për aktivizimin e tyre në sfidën e së premtes.
Gjithsesi, dy mbrojtësit udhëtuan bashkë me pjesën tjetër të ekipit drejt Londrës, ku stafi mjekësor do të vendosë vetëm pas seancës së fundit stërvitore, që kombëtarja kuqezi do të zhvillojë mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Wembley”.
Përpara saj, Silvinjo dhe një prej futbollistëve do të dalë përpara mediave në konferencën zyrtare në vigjilje të sfidës.
Ndeshja mes Anglisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet të premten në orën 20:45./abcnews.al