Kukësi kërkon të bëjë autokritikë për humbjen e pësuar me Bylisin dhe për këtë duhet të mposhtë Tiranën. Padyshim një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave në Superiore. Mesfushori Eduart Rroca thekson se kjo sfidë do të tregojë se edhe ku janë rivalët në krahasim me ta.
“Është një ndeshje shumë e vështirë, më e forta e kësaj jave. Tirana ka bërë shumë mirë, edhe në merkato, por mbetet për t’u parë. Në përfundim të kësaj ndeshjeje do të kuptojmë se ku janë kundërshtarët tanë”, shprehet Rroca për Supersport.
Më tej mesfushori kërkon që të mos bëhet dramë ajo sfidë e humbur me Bylisin në Ballsh. Mesazhi i Rrocës është i qartë: “Nuk duhet ta dramatizojmë këtë humbje, është vetëm fillimi i kampionatit. Kemi rrugë të gjatë përpara, nuk duhet të merremi me diferenca të vogla”.
Kukësi deri më tani numëron 7 pikë, tre më pak se Tirana kryesuese. Mesfushori, në fjalën e tij thekson se verilindorët i kanë dominuar të gjitha ekipet dhe kjo është arsyeja pse ata duhet të vazhdojnë të shohin përpara.
“Ndaj çdo kundërshtari kemi qenë dominues, nëse vijojmë kështu do të vijnë fitoret”, shprehet mesfushori, i cili iu bashkua Kukësit në merkaton e janarit pasi kishte shkëlqyer prej disa sezonesh me Luftëtarin. /abcnews.al