SHKODËR- Është 81 vjeç, por ende punon në atelienë e tij të vogël në Shkodër. Zanatin e rrobaqepësit Naim Haxhija nisi ta mësojë në vitin 1957.
Prej asaj kohe e deri në ditët e sotme punën dhe gjilpërën nuk e ka ndarë kurrë nga duart edhe pse vite më pas ndoqi shkollën pedagogjike dhe u diplomua për mësuesi. Për herë të parë profesionin e mësuesit e ushtroi në Han të Hotit në një shkollë fillore. Gjatë punës në arsim, nxënësve u jepte dije jo vetëm për matematikën e fizikën por edhe për rrobaqepësinë.
Interes për këtë zanat thotë se ka ende. Atyre që duan ta përvetësojnë 81-vjeçari thotë se i mëson pa mbajtur asnjë sekret.
Prej ditës kur ka mësuar rrobaqepësinë tregon se nuk ka shpenzuar asnjë lekë për blerje veshjesh. Të gjitha nga këmishat, xhaketat, pantallonat e madje edhe kapelet i ka qepur vetë. Në pension ka dalë 2 dekada më parë por sërish ka vullnet e punon edhe përgjatë fundjavave e ditëve të pushimi.
Thotë se me këtë punë tanimë nuk ka për qëllim fitimet por të luftojë vitet e pleqërisë. Të rinjtë i këshillon me dashamirësi që të përqafojnë zanatet pasi në çdo kohë punën dhe fitimet do t`i kenë të sigurta./ abcnews.al