Gjatë përditësimit të situatës ditën e sotme, Albana Fico Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik njoftoi për rritje gati dyfish të rasteve me koronavirus në vend.
Rastet e reja gjatë 24 orëve të fundit shkuan në 17, ndërkohë që edhe numri i testimeve të kryera ishte rritur po dyfish në krahasim me ditën e djeshme.
Rastet e reja u shënuan në Tiranë 9, Krujë 5 dhe Kamëz 3.
LEXO edhe: Shërohen 70% e të prekurve nga koronavirusi
“Siç shihet, ka një rritje të rasteve në 24 orët e fundit, jo vetëm në numrin e rasteve të identifikuara por edhe shtrimet në spital janë shtuar. Në dy spitalet COVID, sot kemi 38 të shtruar nga të cilët 8 janë në terapi intensive”, njoftoi Fico.
Mbetet shqetësues fakti se sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, 11 raste, janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitivë me COVID19, ndërsa 6 të tjerët të infektuar nga virusi i ri, nuk janë kontakte dhe nuk dihet si janë infektuar.
Për këto 6 raste, sipas Ministrisë vijon hetimi epidemiologjik në terren.
Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se në këtë situatë të lehtësimit të masave, është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID19 si dhe kontakteve të tyre./abcnews.al