Rritja ekonomike, Europa lë pas ekspansionin amerikan

schedule18:08 - 30 Janar, 2018

schedule 18:08 - 30 Janar, 2018

Rritja ekonomike europiane ka lënë pas atë të SHBA-së, duke regjistruar tregues më të mirë për vitin që lamë pas. Por pavarësisht përmirësimit, gjërat për kontinentin e vjetër nuk janë ende në vijë.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të ekonomisë në vitet e fundit, por ekonomia europiane po rritet edhe më shpejt. Kështu shkruan CNN në edicionin online, ku thuhet se rritja në 19 vendet që përdorin monedhën e përbashkët ishte 2.5 për qind në vitin 2017.

Në të njëjtën kuotë ka qenë edhe rritja në tërësi e bllokut me 28 anëtarë. Bëhet fjalë për periudhën më të mirë për të dyja grupet që prej vitit 2007, që e vë Europën 2.3 pikë përqindjeje përpara ekspansionit të arritur nga Shtetet e Bashkuara në 2017.

Europa, që ka përjetuar vite të tëra rritjeje anemike për shkak të krizave të borxhit, është pjesë e një rilindjeje ekonomike globale që mund të vazhdojë edhe në 2018. Për Jacob Deppe, shef i një agjencie të këmbimit online, çdo gjë që mund të bëjë ekonomia amerikane mund ta bëjë edhe ajo europiane, e madje edhe më mirë.

“Me të dyja ekonomitë që po rriten në varg dhe me ekonomitë aziatike në të njëjtën linjë, shpresat janë që 2018-a të ketë të njëjtin ritëm, në mënyrë që të rrisë besimin dhe stabilitetin ekonomik për herë të parë në një dekadë”, ka thënë Deppe.

Përmirësimi ekonomik i kontinentit të vjetër bëri që euro të rritet në 1.25 dollarë amerikanë këtë muaj, një rritje me 21 për qind nga kuota prej 1.03 dollarë e regjistruar në fillim të vitit që lamë pas.

Sidoqoftë, edhe për Europën gjërat nuk janë perfekte. Papunësia po bie, por mbetet e lartë mes punonjësve në moshë të re, duke mbajtur peng avancimin e disa vendeve. Gjithashtu, integrimi i emigrantëve përbën një sfidë sa ekonomike edhe politike, pa harruar plakjen e popullsisë dhe problemet me sistemet shëndetësore dhe pensionet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!