“Rritja ekonomike, e qëndrueshme”, FMN mbyll misionin, fokus strategjia e të ardhurave

schedule15:07 - 12 Korrik, 2024

schedule 15:07 - 12 Korrik, 2024

Ecuria e ekonomike e Shqipërisë vlerësohet pozitive në pjesën e parë të vitit 2024.Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber në përmbyllje të vizitës së Misionit të FMN-së në Shqipëri. Kreu i financave bëri një panoramë të zhvillimeve ekonomike  ndërsa vuri theksin  te vijimi i uljes  së borxhit publik.

“Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2023 u vlerësua 3.63%, ndërsa niveli i inflacionit arriti në 2.1 % në muajin qershor, me rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur ishte në nivelin 4.5%.B   orxhi publik pas një periudhe të gjatë zbriti nën 60% të PBB-së duke shkuar në 58.9% në fund të vitit 2023 dhe projektohet të vazhdojë trajektoren rënëse edhe për periudhën në vijim.”

Shefja e Misionit të  Fondit Monetar Ndërkombëtar zhvilloi takim edhe me kreun e Bankës Qendrore  ndërsa kërkoi që politika monetare  të reagojë sipas zhvillimeve ekonomike.

“Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe konsistent me respektimin e objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Politika monetare duhet të vijojë të mbetet fleksibile, duke u udhëhequr në vazhdimësi nga informacioni i ri mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se vendimi i fundit  pritet të sjellë efekte pozitive në ekonominë shqiptare.

“Banka e Shqipërisë vlerësoi se lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare pritet të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.”

Në fokus të takimit të ekspertëve të fmn dhe institucioneve shqiptare financiare  ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike në vend, projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!