Rritja e tensioneve, Lukashenko: Kam urdhëruar të kontaktohet me Poloninë, jam i gatshëm për bisedime

schedule07:18 - 12 Gusht, 2023

schedule 07:18 - 12 Gusht, 2023

Lideri i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenko, ka thënë të premten se e ka urdhëruar kryeministrin e vendit ta kontaktojë Poloninë, dhe se është i gatshëm për bisedime për shkak të rritjes së tensioneve kufitare mes anëtares së NATO-s dhe aleates së Rusisë.

Javën e kaluar, Polonia tha se dy helikopterë bjellorusë e shkelën hapësirën e saj ajrore dhe e arrestoi një burrë bjellorus, nën dyshimin se ishte pjesë e “zinxhirit të spiunazhit rus”.

Marrëdhëniet mes Minskut dhe Varshavës, të ngrira tash e sa vite, u përshkallëzuan qëkur Lukashenka e lejoi Moskën ta përdorë territorin bjellorus për ta sulmuar Ukrainën.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë kur Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të grupit mercenar nga Rusia, Wagner. Polonia e quajti këtë kërcënim dhe si pasojë e përforcoi mbrojtjen kufitare.

“Ne duhet të flasim me polakët. E kam urdhëruar kryeministrin t’i kontaktojë ata”, tha Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Belta.

“Ne jemi fqinj dhe fqinjët nuk mund t’i zgjidhesh”, tha lideri bjellorus.

Këto deklarata të pazakonta të tij vijnë vetëm një ditë pasi Varshava njoftoi se do t’i dërgojë edhe 10 mijë trupa në kufi me Bjellorusinë.

“Ata kanë zgjedhje parlamentare më 15 tetor, natyrisht se ata kanë nevojë ta përshkallëzojnë situatën… për të treguar se e kanë armatosur siç duhet [Poloninë]”, theksoi Lukashenka.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Pawel Jablonski, tha se nëse lideri bjellorus “vërtet dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Poloninë, atëherë mund ta bëjë këtë në mënyrë shumë të thjeshtë”.

Ai i bëri thirrje Lukashenkos të mos “e sulmojë më kufirin tonë, t’i lirojë më shumë se një mijë të burgosur politikë dhe [gazetarin polako-bjellorus] Andrzej Poczobut, ta ndalojë këtë fushatë të urrejtjes, këtë luftë hibride kundër Polonisë”.

Polonia ka paralajmëruar për provokime që përfshijnë grupin Wagner, të cilin Lukashenka po e strehon pas kryengritjes së tyre të dështuar në Rusi në qershor.

Gjatë një vizite në Shën Petersburg muajin e kaluar, Lukashenka, i ulur pranë presidentit rus Vladimir Putin, bëri shaka se luftëtarët e Wagner-it po kërkojnë “të shkojnë në Perëndim, po kërkojnë leje… për të shkuar në një udhëtim në Varshavë, në Rzeszov”.

Mijëra bjellorusë kanë shkuar në Poloni pasi kanë ikur nga atdheu i vet qëkur Lukashenko e mori pushtetin në vitin 1994.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!