Rritja e rasteve, viti shkollor në Maqedoninë e Veriut nis me prani fizike duke respektuar protokollet

schedule14:37 - 20 Gusht, 2021

schedule 14:37 - 20 Gusht, 2021

Ndonëse numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut është rritur, viti shkollor do të nisë normalisht.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska nuk deklaron se do të ketë ndryshim të vendimit që viti shkollor të fillojë me prani fizike, pasi siç thotë, plani që u përgatit që nga muaji qershor tregoi se më i dëshirueshëm është mësimi me prani fizike.

“Fillimi i vitit shkollor do të jetë me prani fizike për të gjitha nivelet e arsimit fillor dhe të mesëm dhe për të gjithë nxënësit. Presim që të respektohen të gjitha protokollet dhe për këtë të gjitha shkollat në mënyrë intensive janë duke u përgatitur me të gjitha materialet që u duhen, me të gjitha protokollet që u nevojiten që të mund të kemi atmosferë të sigurt për mësim. Gjithashtu, një numër i madh i mësimdhënësve apo mbi 62% janë vaksinuar dhe në mënyrë intensive rrjedhë vaksinimi i atyre që kanë mbetur”, deklaroi Carovska.

Ka ftuar, që të gjithë mësimdhënësit që duhet të jenë pjesë e procesit mësimor, të kërkojnë ndihmë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të vaksinohen sa më shpejtë.

Ka bërë të ditur, se nëse gjendja shëndetësore me Covid-19 shkon drejt përkeqësimit dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse konstaton se duhet të ndryshohet skenari, atëherë MASh-i do ta bëjë këtë.

“Nëse ka ndryshim të gjendjes shëndetësore, sigurisht se Ministria e Arsimit bashkë me institucionet komunale është e gatshme të respektojë instruksionet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse”, tha Carovska. Qëllimi siç tha, është të sigurohet proces mësimor i pandërprerë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!