Rritja e çmimeve, qytetarët tërheqin paratë nga bankat

schedule15:44 - 28 Prill, 2022

schedule 15:44 - 28 Prill, 2022

Nga Erblina Mile

Mbi 5.8 mld lekë kanë tërhequr shqiptarët vetëm gjatë muajit mars. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky është muaji i dytë që vijon kjo tendencë.

Gjatë marsit depozitat në lekë u ulën në 541 ,2 mld lekë nga 547 mld që ishin gjatë  muajit të mëparshëm.

Nëse e krahasojmë me janarin tërheqja e parave është më e fortë .

Kjo situatë duket se është një tjetër efekt  i shtrenjtimit të jetesës si pasojë e rritjes së çmimeve. Gjatë muajit mars në Shqipëri  u shënua rekord i rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve.

Kriza e çmimeve nuk ka prekur vetëm xhepat e qytetarëve por edhe të bizneseve të cilëve i janë shtrenjtuar kostot dhe i janë ulur shitjet. Kjo ka bërë që shumë biznese të prekin depozitat për të mbuluar shpenzimet.

Ulja e depozitave është një tendencë që vjen pas një periudhe kur pati  vetëm shtim të parave të mbyllura në banka  si pasojë e pandemisë dhe kufizimit të lëvizjeve .

Ulja e depozitave në lekë vjen në një moment kur Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit vendim i cili ndikon në shtimin e interesave për depozitat në lekë .Pas më shumë se dy dekadash BSH rriti normën bazë të interesit nga 0.5% në 1%.

Në ndryshim nga depozitat, kreditimi i ekonomisë në tre muajt e parë të këtij viti ka qenë e lartë. Gjatë periudhës janar-shkurt –mars rezulton se në total janë dhënë 65.7mld lekë kredi e re  nga 48 mld që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!