Fuga për protestat: Ka nevojë për organizime që mund të strukturojnë rezistencën shoqërore

schedule14:18 - 6 Tetor, 2021

schedule 14:18 - 6 Tetor, 2021

Akademiku Artan Fuga mbështet protestën e organizuar pasditen e sotme që do të mbahet te Kryeministria, për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Në një lidhje për “Abc Live” me Juli Xhokaxhi, Fuga u ndal ndër të tjera edhe tek debati se shqiptarët nuk ngrihen në protesta për shqetësimet e tyre. Profesori mendon ndryshe. Sipas tij, shqiptarëve ju kanë munguar gjithnjë organizimet për të reaguar.

Më tej akademiku thotë se shpreson që nga protesta e sotme të arrihen diçka. Fuga thekson se kriza është strukturore dhe e rrënjosur në shoqërinë shqiptare.

“Kam dy dekada në librat e mi dhe ndërhyrjet e mia publike, që them që kemi një shoqëri që nuk ka mekanizmat e menaxhimit, çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që një shoqëri kur kërkon të shkojë drejt demokratizmimit, nuk mund të drejtohet në mënyrë autoritare, nuk mund të drejtohet në mënyrë piramidale. Kjo shoqëri ka nevojë për media të lira, ka nevojë për kërkim shkencor të lirë, ka nevojë për sindikata të forta, ka nevojë për organizata jofitimprurëse që të mobilizojnë shoqërinë civile por që të jenë të pavarura.

Ka nevojë për qytetarë të cilët kanë të drejta. Ka nevojë për organizime të tilla të cilat mund të strukturojnë atë që quhet rezistencë shoqërore. Nëse të gjitha këto mungojnë, siç mungojnë tek ne, këtu nuk është më problem i popullit, nuk është problem antropologjik. Nuk ka të bëj me identitetin shqiptar por me një konjukturë që nuk ka mekanizma. Këto mekanizma nuk i ndërton dot qytetari në vetminë e tij. Këto i ndërton politika, elita, i ndërtojnë strukturat aktive. Fatkeqësisht partitë politike tek ne nuk duan absolutisht asnjë aktor tjetër aktiv,” u shpreh ai. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!