Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Rritet numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë

schedule22:25 - 22 Janar, 2026

schedule 22:25 - 22 Janar, 2026

Numri i viktimave nga përplasja mes dy trenave të shpejtë në Spanjë ka arritur në 45, pasi trupat e dy burrave të tjerë u gjetën në një vagon të dëmtuar, tha Qeveria rajonale e Andaluzisë më 22 janar. Besohet se trupat u përkasin dy personave që figuronin si të zhdukur pas aksidentit, që ndodhi të dielën në mbrëmje. Identifikimi formal nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kordobës ende nuk është kryer.

Trupat u gjetën në një vagon që kishte rënë rreth katër metra poshtë hekurudhës dhe që kishte pësuar dëme të mëdha. Numri i të plagosurve nga aksidenti është 123, nga të cilët 31 vazhdojnë të jenë të shtruar në spital. Gjashtë persona ndodhen ende në kujdes intensiv, njoftuan shërbimet e emergjencës së Andaluzisë në X. Megjithatë, sipas tyre, asnjëri nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën.

Sipas Gardës Civile, në mesin e viktimave kishte tre shtetase të huaja, të gjitha gra: një nga Gjermania, një nga Rusia dhe një nga Maroku. Kryetari i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno, tha se nuk ka më persona të zhdukur dhe se kërkimet për viktima janë ndërprerë. Identifikimi i viktimave ka qenë i vështirë, prandaj autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që dyshojnë se mund të kenë humbur të afërm të ofrojnë mostra të ADN-së.



Dyzet e tre trupa të viktimave veçse janë identifikuar, por identiteti i tyre nuk është bërë publik. Shkaku i aksidentit, që është një nga më të rëndët në historinë e Spanjës, ende nuk dihet. Autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkaku të jetë dëmtimi i hekurudhës ose ndonjë defekt në njërin nga trenat. Vetëm dy ditë pas aksidentit të së dielës, një shofer treni vdiq pasi u aksidentua me një tren lokal në Gelida, në perëndim të Barcelonës. Dhjetëra pasagjerë u lënduan, pesë prej tyre rëndë.

Një tjetër aksident hekurudhor ndodhi të enjten, kur një tren i vogël lokal u përplas me një kran në Murci, në lindje të Spanjës dhe sipas autoriteteve gjashtë persona pësuan lëndime të lehta. Sindikata e shoferëve të trenave në Spanjë ka shpallur një grevë kombëtare treditore duke nisur nga 9 shkurti, për të mbështetur kërkesat për më shumë siguri dhe besueshmëri në rrjetin hekurudhor. Spanja ka rrjetin më të madh në Evropë për trenat e shpejtë me mbi 3 mijë kilometra hekurudhë që lidhin qytetet e mëdha përfshirë Madridin, Barcelonën, Seviljan, Valencian dhe Malagën./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!