Rritet numri i familjeve afgane që i dërgojnë fëmijët për të punuar

schedule17:06 - 20 Maj, 2023

schedule 17:06 - 20 Maj, 2023

Ghulam Ali fiton rreth 2 dollarë në ditë duke shitur perime me një karrocë druri, që e tërheq zvarrë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Ai është vetëm 14 vjeç, edhe është mbajtësi i familjes së tij. Kur babai i tij u sëmur dhe nuk kishte mundësi për të punuar, Aliu ishte i detyruar ta braktiste shkollimin vitin e kaluar dhe të punonte për shtëpinë e tij.

“Një vit më parë, unë vijoja shkollimin dhe punoja nganjëherë. Mirëpo, këtë vit jam duke punuar me orar të plotë”, tha Aliu për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.
Ali, që ka kryer klasën e tetë, është një nga të paktën një milion fëmijët që punojnë në Afganistan, ku pagat kanë rënë dhe miliona njerëz përballen me urinë. Shumë fëmijë punojnë si lustrues këpucësh, larës automjetesh, lypës rrugësh ose punëtorë në miniera.

Që kur talibanët morën kontrollin në vitin 2021, numri i fëmijëve që punojnë është rritur, duke përkeqësuar situatën edhe ashtu të rëndë humanitare dhe duke nxitur një kolaps ekonomik që rezultoi me rritje të inflacionit dhe të papunësisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjashtë milionë afganë janë në prag të një krize urie dhe 28 milionë të tjerë kërkojnë ndihmë të menjëhershme humanitare.

Kufizimet e ashpra të talibanëve për punësimin e gjinisë femërore, duke përfshirë ndalimin e grave që të punojnë për organizatat joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare (OJQ), kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e numrit të fëmijëve që punojnë.

Agjencitë e ndihmës kanë ofruar ndihmë monetare dhe ushqimore për shtëpitë e udhëhequra nga gratë, në mënyrë që ato të mbijetojnë. Megjithatë, shumë prej tyre janë lënë të kujdesen për veten e tyre pasi OJQ-të perëndimore ndërprenë aktivitetet pas ndalimit nga ana e talibanëve në dhjetor.

Samiu, babai i të cilit vdiq disa vite më parë, kalon nëpër deponitë e plehrave në qytetin perëndimor të Farahut duke kërkuar për plastikë dhe metal të riciklueshëm që të mund ta shesë. Ai fiton deri në 0,50 dollarë në ditë.

Me familjen e tij, që nuk merr mbështetje nga ndihma humanitare, Samiu është detyruar të punojë në rrugë.

“Jam vetëm 13 vjeç dhe jemi gjashtë anëtarë në shtëpi. Nuk mund t’i përballoj shpenzimet e shtëpisë, kemi nevojë për ndihmë”, tha ai për Radio Azadi.

Prindër në nevojë

Sipas një sondazhi të vitit 2022 të organizatës Save the Children, një e pesta e familjeve afgane janë detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në punë.

“Nëse vetëm një fëmijë në secilën prej këtyre familjeve dërgohet në punë, atëherë më shumë se një milion fëmijë në vend janë të angazhuar në punë”, tha organizata me bazë në Londër.

Një tjetër sondazh zbuloi se 29 për qind e familjeve të udhëhequra nga gratë në vitin 2022 kishin të paktën një fëmijë të angazhuar në punën, në krahasim me 19 për qind në vitin 2021. Në familjet e udhëhequra nga burrat, shifrat u rritën nga 13 në 21 për qind.

Sipas Nisar Ahmad Kohin, një specialist afgan për të drejtat e fëmijëve, “neglizhimi i së ardhmes së fëmijëve tanë vetëm do të shkatërrojë të ardhmen e vendit tonë”.

Aktivistët u kanë kërkuar talibanëve ta ndalojnë punën e fëmijëve. Megjithatë, militantët nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të adresuar këtë çështje.

Ndërsa sfidat e rënda ekonomike dhe humanitare të Afganistanit përkeqësohen, numri i fëmijëve që punojnë pritet të rritet.

OKB-ja vlerësoi muajin e kaluar se pothuajse 85 për qind e afganëve jetojnë në varfëri. Kjo shifër pasqyron një rritje masive prej 15 milionë nga viti 2020, kur Qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi ishte ende në kontroll.

Habibullah ka një dyqan riparimi makinash në provincën qendrore të Bamiyanit. Ai tha se prindërit, në pamundësi për të ushqyer familjet e tyre, po i dërgojnë gjithnjë e më shumë fëmijët e tyre në punë.

“Çdo ditë vijnë prindërit dhe më kërkojnë t’i marr fëmijët e tyre. Kushtet ekonomike po i detyrojnë njerëzit të sakrifikojnë shkollimin e fëmijëve të tyre [dhe t’i dërgojnë në punë]”, tha Habibullah për Radio Azadi.

Mira Jan Rasikh, një punonjëse sociale në Bamiyan, tha se talibanët duhet të marrin përgjegjësinë.

“Qeveria është e detyruar t’i mbrojë fëmijët nga jeta e mundimshme”, tha ajo për Radio Azadi./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!