Interesi për tregun imobiliar në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme vitet e fundit, veçanërisht nga blerësit e huaj dhe diaspora. Eksperti i pasurive të paluajtshme, Fjordi Subashi, thekson se zonat bregdetare, sidomos përgjatë Adriatikut, janë kthyer në destinacion kryesor për investime për shkak të kostove më të përballueshme krahasuar me vendet fqinje.
Sipas tij, një pjesë e këtyre blerjeve bëhen për qëllime investimi, por nuk mungojnë edhe rastet kur pronat shfrytëzohen për banim. Ndërkohë, në Tiranë vihet re një tendencë drejt stabilizimit të tregut, me rritje të përqendruar në zona si Bulevardi i Ri dhe Unaza e Madhe.
Rivlerësimi i pronave ka ndikuar pozitivisht, duke nxitur veçanërisht çiftet e reja të hyjnë në treg. Subashi nënvizon se nuk pritet një rritje e mëtejshme e çmimeve të banesave, ndërsa qiratë konsiderohen aktualisht disi të larta. Në këto kushte, gjithnjë e më shumë qytetarë po orientohen drejt blerjes së pronës në vend të jetesës me qira.
“Vitet e fundit është rritur shumë interesi i të huajve, sidomos për zonat bregdetare, me në fokus Adriatikun për shkak edhe të buxheti. Kryesisht kanë qenë për investim. Një tipologji e marrin edhe për të banuar. Duhet marrë parasysh që çmimet e banesave në vijën tonë bregdetare janë më lirë, krahasim me vendet e tjera fqinje.
Sa i takon Tiranës, po shkojmë drejt një stabiliteti, rritje ka pasur Bulevardi i Ri, Unaza e Madhe. Rivlerësimi i pronave ka dhënë një ndikim pozitiv, sidomos për çiftet e reja. Një interes i shtuar për të blerë banesa dhe prona në Shqipëri, ka edhe nga diaspora. Nuk mendo se do të kemi një rritje të çmimeve. Çmimet e qirave janë pak të fryra. Të gjithë po fokusohen më shumë për të blerë se sa për të jetuar me qira”, tha eksperti.


