Ekonomia shqiptare po orientohet çdo vit e më tepër te shërbimet dhe turizmi. Kjo konfirmohet nga të dhënat e INSTAT ku vërehet se shërbimet tregtia dhe akomodimi janë kthyer në nxitësit kryesor të aktivitetit ekonomik.
Prodhuesit e shërbimeve përbëjnë mbi 86% të ndërmarrjeve aktive ose 9 në 10 biznese që operojnë në vend. Brenda këtij grupi, tregtia mban peshën kryesore si në numrin e ndërmarrjeve, ashtu edhe në punësim dhe në vëllimin e shitjeve.
Në total, tregtia numëron mbi 42 mijë ndërmarrje dhe punëson mbi 136 mijë persona duke kontribuar pothuajse në gjysmën e qarkullimit të ekonomisë shqiptare në vitin 2024.
Sipas INSTAT gjatë vitit 2024 kompanitë që operojnë në tregti kanë pësuar një rritje me mbi 35% , ndërsa ato në akomodim dhe shërbimin ushqimor janë shtuar me 14%.
Statistikat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në Shqipëri ishin aktive 119.870 ndërmarrje, 2,2 % më shumë se në vitin 2023.
Nga te dhënat zyrtare vërehet një rritje e aktivitetit ekonomik dhe zgjerim i numrit të bizneseve, por me një tkurrje të numrit të punësimit total duke reflektuar zhvillime strukturore dhe ndryshime në mënyrën e organizimit të bizneseve.
Këto statistika tregojnë se modeli ekonomik i Shqipërisë po konsolidohet gjithmonë e më tepër rreth sektorit të shërbimeve, me fokus te tregtia, turizmi dhe aktivitetet e lidhura me to. Edhe 2026 duket se do të ketë të njëjtin trend ndërsa shifrat tregojnë se vetëm në janar vendi priti më shumë se gjysmë milioni turistë të huaj.


