Më shumë se gjysma e pacientëve mund t’i mbijetojnë kancerit të lëkurës, i cili para një dekade konsiderohej i patrajtueshëm. Kështu shprehen doktorët britanikë në lidhje me sëmundjen vdekjeprurëses.
BBC shkruan se dhjetë vjet më parë vetëm 1 në 20 pacientë mund të jetonte deri në 5 vjet pasi ishte diagnostifikuar me melanomë të fazës së fundit. Shumica e të prekurve vdisnin brenda muajve.
Por ilaçet të cilat përforcojnë sistemin imunitar të njeriut kanë rritur shanset për mbijetesë. Sipas ekspertëve tashmë 52% e pacientëve britanikë jetojnë të paktën edhe pesë vjet pasi përdorin këto medikamente.
Melanoma është kanceri i pestë më i përhapur në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo i merr jetën të paktën 2.300 personave çdo vit. Nëse sëmundja kapet në fazat fillestare shanset për mbijetesë janë të mira.
“Në të shkuarën, melanoma metastatike shihej si e patrajtueshme. Onkologjistët e konsideronin melanomën ndryshe nga llojet e tjera të kancerëve, si diçka që nuk mund të trajtohej nëse shpërndahej në trup”, shprehet profesori James Larkin.
Nëpërmjet testimeve u hetuan dy ilaçe të cilat janë projektuar për të rritur sistemin imunitar dhe sulmojnë kancerin. 945 pacientë u ndanë në tre grupe.
Njërit prej grupeve i dhanë “Ipilimumab”, një tjetri “Nivolumab” dhe grupit të fundit i dhanë të përdornin të dyja ilaçet. Rezultatet treguan se 52% e pacientëve ishin gjallë 5 vite pasi kishin marrë të dy llojet e ilaçeve.
“Ka qenë një surprizë e madhe të shihje kaq shumë progres në një kohë kaq të shkurtër. Është transformimi më i jashtëzakonshëm i një sëmundje që shikohej nga të gjitha kancerët si më i vështiri për t’u trajtuar”, shprehet profesor Larkin./abcnews.al