Rriten pagesat me karta, në tre muajt e parë janë kryer 8.5 milionë transaksione

schedule13:22 - 27 Maj, 2023

schedule 13:22 - 27 Maj, 2023

Pagesat me karta po kthehen në një normalitet të ri për shqiptarët. Në muajt e parë të këtij viti trasaksionet me karta bankare kanë arritur në vlerën 8.5 milionë duke pësuar një boom në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Trasaksionet e kryera me kartë bankare gjatë tremujorit të parë të vitit kapën një vlerë prej 96 miliardë lekësh, ose 860 milionë eurosh. Fenomeni që bie në sy është se pagesat me karta janë më të larta kur blihet një mall, shërbim apo produkt.

Në periudhën janar –mars janë kryer 3 milionë pagesa të tilla, duke pësuar një rritje me gati 35%. Përdorimi i parave nëpërmjet kanaleve zyrtare është një tregues shumë i rëndësishëm për uljen e informalitetit në ekonominë shqiptare. Ndërkohë që statistika të Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe niveli i parasë CASH është ulur.

Tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë pozitivë pasi kanë nisur me stabilizim të qarkullimit të parave që përdoren në dorë.Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në mars të këtij viti në ekonominë shqiptare qarkulluan 382.7 miliardë lekë CASH nga rreth 385 miliardë lekë ose 2.3 miliardë lekë më pak në krahasim me shkurtin.

Nga studimet rezulton se përdorimi i parave Cash në ekonominë shqiptare lidhet më së shumti me kulturën pasi shumë qytetarë mendojnë se pagesa cash është më praktike dhe nuk ka shpenzime ekstra, por nga ana tjetër është edhe mosbesim ndaj transaksioneve përveç përdorimit të parasë fizike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!