Rriten krimet antisemite dhe islamofobike në Britani

schedule21:50 - 20 Tetor, 2023

schedule 21:50 - 20 Tetor, 2023

Krimet antisemite dhe islamofobike janë rritur në Londër që nga fillimi i konfliktit vdekjeprurës të Izraelit me Hamasin, tha sot Scotland Yard.

“Megjithë praninë e shtuar të policisë, ne kemi parë një rritje të konsiderueshme të krimeve të urrejtjes në Londër, me 218 vepra antisemite midis 1 dhe 18 tetorit. Në periudhën korresponduese të vitit të kaluar janë regjistruar vetëm 15”, sqaron policia.

Në të njëjtën periudhë pati një rritje të krimeve islamofobike, nga 42 vitin e kaluar në 101.

Bëhet fjalë për veprime ndaj individëve apo grupeve, personalisht apo online, apo edhe për dëmtim të pronës. Deri më sot, 21 persona janë arrestuar për krime të urrejtjes. Midis tyre është një burrë që dyshohet se po shkatërronte fotografitë e izraelitëve të zhdukur. Një tjetër është arrestuar me dyshimin për dhjetëra mbishkrime islamofobike që u shfaqën në stacionet e autobusëve në jugperëndim të Londrës.

Që nga fillimi i luftës, policia është vendosur rreth shkollave dhe vendeve të adhurimit në komunitetet hebraike dhe myslimane të Londrës. Një demonstratë në mbështetje të palestinezëve është planifikuar për nesër të shtunën.