Autoritetet iraniane kanë njoftuar se nuk ka asnjë të mbijetuar nga rrëzimi i një avioni që u nis nga Teherani. Mjeti fluturues dyshohet se është rrëzuar për shkak të një defekti teknik.
66 persona janë vrarë pas rrëzimit të një avioni në Iran. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët e kompanisë ajrore. Aeroplani i “Aseman Airlines”, në itenerarin nga Teherani në qytetin jugperëndimor të Yasuj, u rrëzua në malet Zagros.
Gjysmëhëna e Kuqe vendosi ekipe të kërkim-shpëtimit në vendin afërsi të qytetit Semirom në provincën Isfahan.
Mjeti fluturues u largua nga Teherani në orën 08:00 të mëngjesit me orën lokale dhe u zhduk nga radari rreth një orë më vonë. Avioni u rrëzua në një zonë malore 22 kilometra larg nga Yasuj, njoftoi televizioni vendas Irinn. Aeroplani ishte një turboprop “ATR 72-500” me motor binjakë i prodhuar në Francë.
Në momentin e rrëzimi në bord ishin 60 pasagjerë, dy roje sigurie, dy shoqërues të fluturimit dhe dy pilotët.
“Pas kërkimeve në zonë, fatkeqësisht u informuam se avioni u rrëzua. Fatkeqësisht, të gjithë të dashurit tanë humbën jetën në këtë incident”, tha zëdhënësi i linjës ajrore, Mohammad Tabatabai. “Një fëmijë ishte ndër viktimat”, ka njoftuar kreu i shërbimeve emergjente Pir Hossein Kulivand.
Ndërkohë, moti i keq ka penguar përpjekjet e shpëtimit. Ekipet e emergjencës duhej të udhëtonin në vendin e rrëzimit nga toka në vend të përdorimit të helikopterit, tha Kulivand. Lidhur me shkaqet është hapur dhe një hetim, ndërsa pista kryesore është ajo e një defekti teknik.
Irani ka pësuar disa aksidente të aviacionit në vitet e fundit dhe ka një flotë të avionëve të vjetëruar. Teherani ka luftuar për të mbajtur avionët përballë sanksioneve ndërkombëtare të imponuara për të frenuar programin e saj bërthamor. Këto sanksione janë hequr kryesisht nga një marrëveshje e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe SHBA-së së bashku me disa vende të tjera përfshirë Rusinë dhe BE-në./abcnews.al