Me 74 kartona të kuq, socialistët rrëzuan kërkesën e demokratëve për intepelancë me kryeministrin Edi Rama për padinë e tij në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se interpelanca nuk mund të zhvillohet para se Gjykata Kushtetuese të japë interpretimin përfundimtar për ndarjen e pushteteve mes institucioneve.
“Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve.”
Ndërsa Sali Berisha e shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për të akuzuar kryeministrin Rama.
“Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve.Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në një diktat të plotë dhe në presion të tmerrshëm, në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin, siç hodhi poshtë shqyrtimin e 30 deputetëve, nuk e legjitimoi duke shkelur Kushtetutën, nuk hedh poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme që është e zakonshme në Europë dhe kudo.”
Por ministri i drejtësisë, Besfort Lamallari, i rikujtoi se kush sulmon në të vertet prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK.
“Shqiptarët e shohin cdo javë se si të hënave shënjestrohen me emër dhe mbiemër prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime dhe të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Ju mund të silleni sikur parimet kushtetuese të mos ekzistojnë, por ju e dini mjaft mirë prej 4 legjislaturash tashmë, se rotacioni politik vendoset me verdiktin popullor në kutitë e votimit dhe jo me vendime gjykatash”

