Rrëzohet dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave

schedule15:58 - 11 Shtator, 2019

schedule 15:58 - 11 Shtator, 2019

Rrëzohet një tjetër dekret i Presidentit të Republikës. Komisioni i Medias ka rrëzuar sot me shumicë votash të mazhorancës kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave.

Duket se vetëm kryetarja e Komisionit të Medias u interesua për praninë e akademikut Skënder Gjinushi e në mënyrë të veçantë për mospraninë e numrit dy të Akademisë së Shkencave Vaso Tola.

Kështu nisi shqyrtimi i dekretit të presidentit mbi rishqyrtimin e ligjit për Akademinë e Shkencave. Kryetarja e këtij komisioni Fatjona Dhimitri ishte i vetmi zë kundër që kërkonte sqarime e ngrinte gishtin ndaj atyre që i konsideronte fajtorë të hartimit të ligjit.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave sqaroi se zgjedhja e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë ishte mëse e rregullt dhe nuk ka shkelur asnjë ligj.

Debati mes numrit dy të Akademisë së Shkencave dhe numrit një të komisionit, vazhdoi edhe pasi Fatjona Dhimitri sugjeroi se komisioni hetimor do të ishte zgjidhja më e përshtatshme për veprimtarinë e kryer nga institucioni numër një i shkencave në Shqipëri.

Pa surpriza dekreti i Presidentit rrëzohet nga 12 votat e anëtarëve të komisionit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!