Rrëzohen listat për kandidatët në KLGJ e KLP/Emrat e rinj brenda 2 ditësh

schedule11:57 - 26 Janar, 2018

schedule 11:57 - 26 Janar, 2018

Lista me kandidatët jo prokurorë dhe jo gjyqtarë për KLP dhe KLGJ është rrëzuar me shumicë votash në Parlament. Sipas procedurës së parashikuar në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, nënkomisioni përkatës parlamentar duhet të hartojë një liste të re kandidatësh brenda dy ditësh.

Është rrëzuar duke mos arritur shumicën e cilësuar prej 2/3-tave në Parlament lista me kandidatët jo gjyqtarë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe ata jo prokurorë të Këshilit të Lartë të Prokurorisë. 94 ishin votat e nevojshme për miratimin në bllok të listës me 5 antarë të ardhur nga radhët e avokatëve, pedagogëve, shkollës së magjistraturës dhe shoqërisë civile.

Çfarë ndodh më pas?

Procedura parashikohet në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe më saktë neni 35 pika 16 e saj e cila vendos se..

“…nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, sipas procedurës (së përcaktuar në ligj) brenda dy ditëve nga votimi në seancë plenare…”

Procedura për kandidatët për KLGJ dhe KLP kthehet këtu…

Është ky nënkomision I cili ka përgjegjësinë e përpilimit të një liste të dytë, ku nuk përjashtohen automatikisht emrat e listës së parë. Me të njëjtën procedurë si në raundin e parë, pesë anëtarët e nënkomisionit do të votojnë listën e emrave të depozituar nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit një nga një, duke pasur mundësinë që me 4 vota të fusin në listë një emër të përjashtuar. Nisur nga hapsira kohore e përcaktuar në ligj, nënkomisioni brenda dy ditëve duhet të përpilojë listën e re. Duket se do të jetë e hëna e 29 Janarit dita që do të mbledhë 3 anëtarët socialistë dhe dy anëtarët e opozitës në nënkomision, pasi do të ishte edhe afati i fundit për raundin e dytë të saj. Është kjo listë e dytë që më pas, brenda një jave nga votimi në nënkomision hidhet në votim në Kuvend ku kërkon sërisht 94 vota për miratim në bllok./abcnews.al