Rrëzimi i avionit ukrainas plot me municione në Greqi, rrezik për shpërthim të ri, skenari për evakuimin e fshatit

schedule07:47 - 17 Korrik, 2022

schedule 07:47 - 17 Korrik, 2022

Autoritetet greke kanë nisur sot operacionin special për gjetjen e pjesëve të avionit ushtarak  “Antonov” 12 që u rrëzua mbrëmjen e djeshme në zonën e Kavallës në Greqi.

Avioni i tipit Cargo me katër motorë ishte nisur nga Serbia për Jordani me municione. Avioni ishte nisur nga Nish. 

Operacionit special i paraprinë xhirimet me dron, për tu afruar më pas në vendngjarje grupe piroteknikë të Forcave të Armatosura, siç njoftoi në orët e para të mëngjesit kryebashkiaku i Pangaio, Philippos Anastasiadis.

Gjithashtu pritet që të operojnë edhe Brigada e Zjarrfikësve dhe ekipet e shpëtimit, për të eliminuar çdo mundësi për shpërthime të reja, pasi avioni kishte një ngarkesë me 12 tonë lëndë të rrezikshme.

Ndërkohë autoritete greke po shqyrtojnë mundësinë ee evakuimit të fshatit Antifilipi, ku ra avioni për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin municionet që ndodheshin në të.

Mundësia e evakuimit do të vlerësohet nga ekspertiza e punonjësve piroteknikë që ndodhen në vendngjarje, si dhe të Zjarrfikësve.

Lexo edhe: Alarm në Greqi, avioni ushtarak serb që u rrëzua mbante 12 tonë lëndë të rrezikshme

Sipas gjeneral-majorit të Brigadës së Zjarrfikësve Marios Apostolidis, kreu i ekipit operacional, “burrat e shërbimit zjarrfikës me pajisje speciale dhe instrumente matëse iu afruan zonës ku u rrëzua avioni ku panë nga afër trupin e avionit dhe pjesë të tjera të tij të shpërndara në fushat, raportojnë mediet greke.

Apostolidis theksoi se nga hetimi në vendngjarje “është konstatuar paqëndrueshmëri në terren pasi ka tym dhe nxehtësi intensive si dhe një substancë e bardhë, që nuk dihet ende se çfarë është.

Megjithatë instrumentet matëse nuk kanë treguar asgjë alarmante deri më tani.

Faza tjetër është fluturimi i një droni për të vëzhguar të gjithë zonën ku ra avioni.

Lexo edhe: Rrëzohet avioni serb në Greqi, kërkoi ulje emergjente por u plas në tokë! Alarm zjarri në Kavalla, dëgjohen shpërthime

Apostolidis nënvizoi se në vendngjarje operojnë gjithsej 13 persona nga EMAK dhe 26 zjarrfikës nga Eleftheroupolis, Kavala dhe Drama.

Ai ka theksuar se rekomandimi i rreptë i mbrëmshëm për shmangien e zonës më të gjerë ku është rrëzuar avioni, ende vlen për banorët e vendbanimeve përreth. Ai gjithashtu theksoi se nga pamjet e para duket se shumë pjesë të avionit janë të shpërndara në vende të ndryshme në zonat rurale.

Ai këmbënguli se asnjë proces nuk do të vazhdojë nëse fillimisht nuk vërtetohet se vendi është plotësisht i sigurt për ekipet që do të veprojnë atje.

Sipas dëshmitarëve, avioni është përplasur në një fushë me misër dhe për mrekulli nuk ka persona të lënduar nga ana e banorëve të zonës.

Informacionet nga mediat greke flasin për një ngarkesë municionesh në avion, ndërsa në bord ndodheshin vetëm 8 anëtarët e ekuipazhit. Zjarrfikësit nxitojnë në vendngjarje pasi ngarkesa prej 12 tonësh e fluturimit komercial, e cilësuar si lëndë e rrezikshme mund të shpërthejë.

Në fund të malit Agios Oros, avioni bën një kthesë 180 gradë, humbet lartësinë, digjet dhe përplaset në një distancë të shkurtër.

Ulja e detyruar nuk ndodhi kurrë

Informacioni i Shërbimit të Aviacionit Civil konfirmon se mesa duket një nga katër motorët ka marrë flakë dhe për këtë arsye është bërë kthesë 180 gradë duke u kthyer në aeroportin e Kavallës , por ulja nuk ndodhi kurrë.
Rruga e avionit para rrëzimit

Në lindje të malit Athos, Antonov 12 duket se po kthehet në aeroport.

Megjithatë, ai humbet lartësinë për t’u përplasur menjëherë pas majave të Pangaeus, siç konfirmohet nga dëshmitarët okularë.

Zona është zhytur në errësirë që nga ora 23:00 pasi avioni mund të ketë rrëzuar kabllot gjatë rrëzimit të tij midis Antifilippou dhe Paleochori , në Eleftheroupolis Kavala.

Avioni transportues ishte nisur nga Serbia për në Jordani dhe thuhet se ishte në një fluturim transporti tregtar.

Deri më tani, Mediat serbe nuk po konfirmojnë që avioni është nisur nga Beogradi./abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!