Read More…

"/>

Rreziku që i kanoset botës, a po rilind Bashkimi Sovjetik?

schedule11:31 - 11 Janar, 2022

schedule 11:31 - 11 Janar, 2022

Nga John Bolton “The Wall Street Journal

Disa analistë e panë vendosjen javën e kaluar të “forcave paqeruajtëse” ruse në Kazakistan si një tërheqje të Vladimir Putinit. Ata thanë se ai akt tregoi dobësinë e tij. Se grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën nuk po jep efektet e pritura, dhe se rebelimet e reja popullore mund të rrëzojnë autokratë të tjerë në ish-republikat e tjera sovjetike, duke i ndërlikuar jo pak llogaritjet strategjike të presidentit rus.

Pasoja e pashprehur e këtij këndvështrimi është se gjëja e fundit që duhet të bëjnë Amerika ose Evropa, është ndërmarrja e veprimeve provokuese në lidhje me Ukrainën apo në vendet e tjera të bllokuara në zonën gri midis kufijve lindorë të NATO-s dhe kufijve perëndimore të Rusisë.

Kazakistani është një problem i Kremlinit ku “Amerika nuk ka asnjë mekanizëm real për të ndikuar” siç e theksoi me të drejtë Politico. Dhe siç mund të pritej, reagimi i parë i Departamentit të Shtetit ndaj krizës kazake ishte ekuivalenca morale, duke bërë thirrje për “përmbajtje si nga autoritetet po ashtu edhe nga protestuesit”.

Nuk ka asnjë dyshim se Moska e sheh të padobishme që një autokraci në kufi me të, zhytet në trazira. Por Perëndimi gabon keq dhe rrezikon potencialisht të mos i shohë mundësitë që ka përpara Putin. Strategjia e tij për të rivendosur hegjemoninë ruse brenda kufijve të ish-BRSS, ka qenë graduale por e shkathët, ndërsa problemet e fundit në Kazakistant i japin atij shumë mundësi manovrimi.

Nën Nursultan Nazarbayev, Kazakistani ishte një vend autokratik dhe pro-rus, i besueshëm sa i përket çështjeve të sigurisë. Bazuar në këtë model, pasardhësi i tij i zgjedhur, Kassym-Jomart Tokayev, nuk humbi asnjë minutë kohë duke kërkuar trupa paqeruajtëse nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia, për të shtypur demonstratat e mëdha antiqeveritare.

Vendosja e parë e trupave të CSTO në një vend anëtar, bie ndesh me statutin e saj, që i referohet vetëm mbrojtjes kundër agresionit të jashtëm. Forca fillestare “paqeruajtëse” prej 2.500 trupash është gati e gjitha ruse, ndërsa Tokayev ka dhënë urdhër që “të qëllohet për të vrarë pa asnjë paralajmërim”.

Operacione të tjera ruse, në Moldavi dhe Nagorno-Karabakh (territori qendror i konfliktit Azerbajxhan-Armeni), janë gjithashtu trupa ekspedicionale ruse të maskuara keq, që e ndihmojnë Moskën të mbajë gjallë konfliktet në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik.

Kjo i pengon ato të zvogëlojnë ndikimin e Kremlinit, pengon investimet e mundshme perëndimore atje, për shkak të rritjes së rrezikut politik, dhe me shumë mundësi e lehtëson ri-integrimin e shteteve të pavarura në perandorinë ruse. Putin thotë se gjoja iu përgjigj një kërkese nga qeveria e Kazakistanit.

Ne mund të mësojmë më shumë mbi këtë çështje në ditët në vijim, por qëndrimi aktual publik i “paqeruajtësve shumëpalësh”, i paraqitur me kujdes për t’u dukur si një përpjekje e OKB-së, është i vështirë të sfidohet ballazi.

Gjithsesi, askush nuk dyshon se zoti Putin mund të nxjerrë një kërkesë të ngjashme nga diktatori i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta ushtarake Minsk-Moskë.

Vitin e kaluar, teksa trupat ruse ishin të grumbulluara pranë kufirit të Ukrainës, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky paralajmëroi vazhdimisht mbi rrezikun e një grushti të mundshëm në Kiev të orkestruar nga Moska dhe oligarkët pro-rusë.

Pohimet e Zelensky u pritën me skepticizëm nga zyrtarët amerikanë, dhe realiteti, ashtu si në Kazakistan, mbetet i errët. Por sido që të jetë statusi dhe perspektivat për një skenar të tillë, një qeveri e re pro-ruse në Ukrainë mund të ftojë forcat e CSTO-së. Pra edhe kërkesa e një qeverie “të përkohshme” për ndërhyrje nga jashtë do të siguronte një fije legjitimiteti.

Bjellorusia dhe Kazakistani janë kandidate kryesore për t’u ri-integruar plotësisht në federatën ruse. Moska e ka aneksuar tashmë Krimenë nga Ukraina, dhe ka arritur kontrollin de facto të rajonit të Donbasit në lindje të saj.

Dy provinca gjeorgjiane shpallën pavarësinë nga Tbilisi, dhe Transnistria mbetet jashtë kontrollit të Moldavisë. Vladimir Putin ka një paradigmë. Natyrisht,në të gjitha ish-republikat sovjetike, njerëzit me ndjenja nacionaliste kundërshtojnë ndërhyrjen ruse, erozionin e sovranitetit, ndërhyrjen ose aneksimin ushtarak.

Problemi është paaftësia e tyre për t`i rezistuar Rusisëpa mbështetjen e Perëndimit. Estonia, Letonia dhe Lituania mund të falënderojnë fatin që arritën anëtarësimin në NATO përpara se evropianët dhe amerikanët të pendoheshin për atë hap.

Në ditët në vijim do të zhvillohen negociata të shumta midis Rusisë dhe Perëndimit. Përpara krizës së Kazakistanit, Vladimir Putin me gjasë besonte se mund të siguronte lëshime diplomatike përmes kësaj lëvizjeje, dhe mund ta ketë lexuar saktë sjelljen e pritshme të Joe Biden dhe Evropës.

Por edhe tani duke pasur parasysh vendosjen e trupave CSTO-së në Kazakistan, Amerika dhe NATO nuk duhet të lëshojnë asnjë centimetër ndaj kërkesave që ka parashtruar Putin, sidomos sa i përket këmbënguljes së tij që NATO të angazhohet zyrtarisht që të mos zgjerohet më tej në lindje.

Aleanca duhet të zhvillojë urgjentisht një strategji mbi shtetet ish-sovjetike që nuk janë ende anëtare të NATO-s. Nuk mjafton të thuhet vetëm që ne nuk kemi asnjë detyrim zyrtar bazuar në ndonjë traktat për t’i mbrojtur ato, gjë që e injoron realitetin strategjik.

Rëndimi i sigurisë së tyre nga Rusia, do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme tek NATO. Nuk është çudi që Finlanda neutrale e ka riafirmuar pa mëdyshje të drejtën e saj sovrane për të vendosur për t’iu bashkuar NATO-s, ndërkohë që Suedisë po i bëhet gjithnjë e më shumë thirrje që të bëjë të njëjtën gjë.

Qëndrueshmëria e NATO-s në këto momente mund t’i bëjë të pamundura synimet ekspansioniste të presidentit rus. Por nëse NATO kufizohet vetëm tek retorika mbi “rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, dhe duke u kërkuar të gjitha palëve “të ushtrojnë vetëpërmbajtje”, historianët mund ta regjistrojnë krizën në Kazakistan si momentin ku Bashkimi Sovjetik u ringjall nga hiri i tij. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Jonh Bolton ka qenë këshilltar i presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare gjatë viteve 2018-2019, dhe ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara në vitet 2005-2006.