Rrezikon burgun, Salianji: Asnjë lëkundje, vazhdoj përballjen për “agjitacion dhe propogandë”

schedule18:45 - 4 Korrik, 2022

schedule 18:45 - 4 Korrik, 2022

“Agjitacion dhe propogandë”, e ka cilësuar deputeti i Partisë Denokratike, Ervin Salianji, betejën e tij me drejtësinë për çështjen “Babale”.

Seanca gjyqësore për deputetin u shty ditën e sotme për në datën 18 korrik. Sakaq, në një postim në rrjetet sociale, Salianji ka theksuar edhe njëherë se do të vazhdojë betejën e tij dhe se do të jetë gjithnjë në krah të qytetarëve.

Salianji tha më herët sot, se ka dorëzuar prova për pafajësinë e tij. Ai u shpreh se procesi është manipuluar me një dëshmitar të rremë dhe t se vonesat dhe sorollatjet janë të përhershme kur një person kërkon drejtësi në Shqipëri.

Reagimi i plotë:  

Duke vazhduar përballjen për akuzën “agjitacion dhe propogandë” dhe “komplot kundër regjimit”!

Institucionet lejuan të largohej trafikantin ndërkombëtar të drogës dhe nisën montimin e një proçesi politik ku akuza ndaj meje është dëmtimi i reputacionit të trafikantit ndërkombëtar!

Asnjë lëkundje, pa dilema, gjithnjë do të jem në krah të qytetarëve dhe mbrojtje të interesit publik!

Çfarë ndodhi sot: 

Gjykata e Apelit shtyu seancën gjyqësore për dosjen “Babale” për më 18 korrik, ora 14.00.

Gjatë seancës së sotme, avokatët paraqitën kërkesë për shtyrje për shkak të bojkotit që është njoftuar më herët nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Kurse, Fredi Alizoti ka hequr dorë nga ankimi. Jetmir Olldashi nuk ishte prezent. Kurse gjyqtarja Elona Toro ka dyshime se mund të jetë me Covid-19.

Të pranishëm në seancë, në mbështetje të Salianjit ishin deputetët Luan Baçi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Selaudin Jakupllari, Kasem Mahmutaj, Bledion Nallbati.

Kujtojmë se Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik. Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.

Nëse do lihet në fuqi vendimi atëherë do kemi dënimin me burg të një deputeti. Autori i audiopërgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!