Rreth 12 mijë banorë të evakuuar nga “Gërdeci” ukrainas

schedule22:18 - 9 Tetor, 2018

schedule 22:18 - 9 Tetor, 2018

Një seri shpërthimesh dhe më pas një zjarr i fuqishëm në një depo municionesh luftarake kanë çuar në evakuimin e 12 mijë personave në lindje të Kievit. Në reagimin e tyre, autoritetet ukrainase kanë fajësuar Rusinë për një akt sabotazhi.

Një seri shpërthimesh dhe më pas një zjarr masiv është ngritur nga një depo municionesh në Ukrainë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa mijëra njerëz. Ngjarja ka ndodhur në lokalitetin Içnja, 176 kilometra në veri-lindje të kryeqytetit Kiev dhe autoritetet flasin për një akt sabotazhi. Për fat të mirë nga shpërthimet nuk ka patur viktima, ndërkohë që numri i personave të larguar nga banesat përreth depos ushtarake është rreth 12 mijë. Zëvendës komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Rodion Timoshenko ka deklaruar në një konferencë shtypi se incidenti nisi me 4 shpërthime radhazi. “Intensiteti i shpërthimeve sugjeron se kemi të bëjmë me një akt sabotazhi”, ka thënë Timoshenko, duke shtuar se shërbimet e sigurisë po hetojnë ngjarjen.

Ndërkohë, kryeministri ukrainas Volodimir Grojsman ka deklaruar se do të kujdeset që autoritetet lokale të sigurojnë akomodim për të evakuuarit. Gjithashtu, autoritetet kanë mbyllur hapësirën ajrore në një sipërfaqe prej 20 kilometrash, ndërsa kanë ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe furnizimet me gaz dhe elektricitet për arsye sigurie. Shpërthime në depot ushtarake kanë ndodhur edhe më parë në Ukrainë, që kur nisi lufta kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit. Në shtator 2017, 28 mijë persona u evakuuan nga një zjarr që përfshiu një depo në qendër të Ukrainës; ndërsa në mars të të njëjtit vit e njëjta gjë ndodhi në një bazë në afërsi të lokalitetit Kharkiv. Nga ana e saj, Moska ka mohuar dërgimin e trupave dhe armëve për të ndihmuar separatistët, por ka pranuar se vullnetarë rusë po i ndihmojnë ata./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!