Së paku 9.7 milionë fëmijë në gjithë botën mund të mos kthehen kurrë në shkollë, paralajmëroi një organizatë bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar. Save the Children tha se ndikimi ekonomik i krizës mund t’i detyrojë fëmijët të punojnë.
“Vajzat ka të ngjarë të preken shumë më keq sesa djemtë”, tha Save the Children, për të shtuar se shumë prej tyre përballen me “kërcënimin e martesave të hershme”.
Sipas organizatës, vazhdimi i shkollimit të fëmijëve është më i rrezikuar në vendet e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, në Jemen dhe në Afganistan.
“Kjo është një emergjencë e paparë arsimore dhe qeveritë duhet të investojnë urgjentisht në mësim”, tha presidenti i organizatës Save the Children, Janti Soeripto.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që në shumë vende të botës të ndërpritet mësimi dhe të zhvillohet online, si masë për frenimin e përhapjes së tij. Gjithashtu ka pasur ndikim të madh edhe në ekonominë botërore. Banka Botërore ka deklaruar muajin e kaluar se prodhimi ekonomik global do të tkurret për 5.2 për qind në vitin 2020.
Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur afro 13 milionë njerëz në gjithë botën. Mbi 569,000 kanë vdekur dhe mbi 7.1 milionë janë shëruar.
Sipas të dhënave Covid-19 prek më pak fëmijët./abcnews.al