Nga Adi Darsi
Rritja e çmimit të karburanteve në javët e fundit është një goditje rrënuese për atë që mund të quhet shtresa e mesme në Shqipëri. Ndryshe nga të gjithë vendet e tjera të rajonit apo të botës, përdoruesit e automjeteve në vendin tonë , me çmimet aktuale të karburanteve, duhet të paguajnë çerekun e pagës, nëse duan ta mbajnë mjetin në punë.
Bazuar në të dhënat e pagës mestare për secilin nga vendet e rajonit dhe nga çmimi përkatës i karburantët, mbi të cilat janë bërë përllogaritjet, rezulton se shqiptarët e paguajnë dyfish e në mos më shtrenjtë për furnizimin e automjetit të tyre.
Kjo është e pritshme kur dihet që paga mesatare në Shqipëri në periudhën 2020-2021, ka qenë më e ulta e rajonit, 436 euro, ndërkohë që më të lartën e ka Mali i Zi, 787 euro.
Veç pagës mesatare më të ulët, Shqipëria ka edhe çmimin më të lartë të karburanteve në rajon. Për efekt krahasimi edhe me vendet e tjera morëm si tregues njw liwr benzinw – por ai nuk ndryshon as për naftën. Kështu për shembull, më 14 mars një litër benzinë 95 oct në vendin tonë ishte 1.80 euro. Çmimin më të lirë e ka Maqedonia e Veriut (ku qeveria ndërhyri fort), vetëm 1.40 euro për litër.
Duke marrë si një mesatare mujore konsum të karburantit prej 60 litrash në muaj, (ky është një tregues i përdorur në vendet e BE dhe më gjerë), rezulton që nga paga e tyre, konsumatorët shqiptarë të karburanteve duhet të lenë në muaj 108 euro.
E shprehur si pwrqindje 24,8 për qind të pagës. Në këtë tregues na ndjek Kosova, ku konsumatorët duhet të paguajnë 17,7 për qind të pagës, ndërkohë të gjithë vendet e tjera të rajonit paguajnë sa gjysma e konsumatorëve të Shqipërisë. Treguesin më të mirë e kanë serbët, vetëm 11,2 për qind të pagës.
Për të vijuar krahasimin vlen të thuhet se më 8 mars kur nafta kapi nivelet rekord në bursa, konsumatorët e Greqisë u alarmuan sepse panë që me çmimet e vendosura në tabelat e karburanteve do të duhej të paguanin 5.58 për qind të pagës së tyre mujore, niveli më i lartë për vendet e BE. Por nëse grekët më 8 mars, në kulmin e çmimit të shtrenjtë paguanin 5.58 për qind të pagës mesatare, treguesi i mësipërm për Mbretërinë e Bashkuar ishte vetëm 3.11 për qind, për Gjermaninë 2.92 për qind dhe në SHBA vetëm 1.22 për qind të pagës.
Karburantet janë shtrenjtuar kudo në botë, por shqiptarët po e paguajnë më shtrenjtë se kudo në botë! A.D.
KARBURANTET SI PESHË NË PAGË, KRAHASIMI ME RAJONIN
(të dhënat janë të gjitha në euro)
VENDI | Paga mesatare
2020-2021 |
Çmimi për litër
gasoil 95 oct 14 mars 2022 |
Vlera e paguar
për 60 litra |
Pesha në pagë
si përqindje |
Shqipëria | 436 | 1.80 | 108 | 24,8 |
Kosova | 477 | 1.41 | 84,6 | 17,7 |
Maqedonia e Veriut | 685 | 1.40 | 84 | 12,3 |
Mali i Zi | 787 | 1.74 | 104,4 | 13,2 |
Bosnjë Hercegov. | 771 | 1.47 | 88,2 | 11,4 |
Serbia | 775 | 1.45 | 87 | 11,2 |
Burimi: Open Data Albania, GlobalPetrolPrice.com