Rrëmbimi nga Skënderbeu dhe kërcënimet belge, historia e pabesueshme e Peter Olayinka

schedule15:27 - 12 Nëntor, 2019

schedule 15:27 - 12 Nëntor, 2019

Peter Olayinka, sulmuesi i Slavia Prague, ka ardhur që në moshë të vogël në Shqipëri, aty ku hodhi hapat e parë te Bylisi. Sulmuesi shpërtheu në Superiore dhe tentoi më pas të largohej në Turqi, ndërkohë që pas tij u vunë Skënderbeu dhe Kukësi. Nigeriani firmosi për verilindorët, por më pas u zbulua edhe kontrata tjetër me Bylisin dhe mori një dënim. Pas shlyerjes së dënimit u rikthye te korçarët.

Olayinka rikthehet të flasë për atë periudhë dhe për mënyrën se si kaloi te Skënderbeu. Gjërat për të nuk shkuan mirë edhe kur u transferua te Gent, që sipas tij edhe e ka kërcënuar në një moment.  Në intervistën e dhënë për gazetarin Oma Akatugba, Olayinka flet edhe për të luajturit kundër Messit, për golin kundër Interit dhe ëndrrën e madhe që ai ka.

RRËMBIMI – “Agjenti im kontaktoi Skënderbeun, pasi para se të ikja ata kishin shfaqur interes të madh për mua. Fillimisht ata kishin dyshime. Kur arrita në Shqipëri, skuadra tjetër, Kukësi, skuadra e dytë më e mirë në kampionat më hapi dyert.

Skënderbeu dërgoi ‘spiunë’ për mua të më shikonin në stërvitje. Më panë në stërvitje dhe realisht donin të nënshkruanin më mua. Më pas u rrëmbeva natën nga klubi tjetër. Ata folën me agjentin tjetër që kisha, paketuan gjërat e mia dhe më çuan në kampin e tyre.

Kështu unë firmosa me Skënderbeun. Luajta sezonin tim të parë me ta dhe ishte shumë i mirë për mua. Kjo ndodhi në vitin 2015. Në vitin 2016 luajta gjysmë sezoni për ta. Në Dhjetor firmosa për Gent. Para dhjetorit kisha shënuar 10 gola. Genti erdhi më pas dhe nënshkrova me ta. Në vitin 2017 theva këmbën gjatë fazës përgatitore me Gent dhe e humba pjesën e dytë të sezonin.

Olayinka me fanellën e Genk dhe të Kukësit

PERIPECITË NË BELGJIKË – “Kishte disa drama më pas, kur trajneri më thirri dhe më tha që isha shumë i dobët. Më kërkoi të shtoja peshë dhe që duhet të shkoja në huazim. Debatova, por në fund pranova të huazohesha. Isha në huazim te Dukla Prague, ku luajta për një sezon. Pas atij sezoni duhet të kthehesha pas. Para përfundimit të huazimit mbajtëm një takim dhe më thanë se nuk isha pjesë e listës së tyre.

U kërkova të huazohesha në Belgjikë. Para se të largohesha nga Gent, i thashë trajnerit që një ditë do të donte të luaja për ta. Më pas iu bashkova Zulte Waregem. Shënova një gol në miqësoren e parë, dy në të dytën dhe tre në të tretën. Ishte kënaqësi e madhe.  Dhashë katër asiste në ndeshjen e parë jashtë fushë dhe më pas më shumë klube më vëzhgonin.

Gent donte të ndërpriste huazimin, por refuzova. U thashë që isha i lumtur. U thashë se do e zgjidhnim dhe do të flisnim kur të mbaronte sezoni. Nuk bëmë mirë si ekip, por unë dhashë 15 asiste dhe shënova 11 gola. Ishte fantastike për mua. Gent më ofroi një kontratë të re, por refuzova. Nuk isha i lumtur të luaja për ta. U thashë se ata nuk më respektuan dhe më pas nisën kërcënimet. U thashë më pas, se nëse kthehem dhe nuk luaj, atëherë do të duhet të shpjegojnë gjithçka për shtypin.

ËNDRRA, MESSI DHE INTERI – “Të luaja me Messin ishte diçka e mrekullueshme për mua. Një ëndërr e bërë realitet, me gjithë ndershmërinë time”, tregon Olayinka, i cili zbulon se po u ruan akoma këpucët me të cilat i shënoi Interit në Champions. “Po i ruaj akoma këpucët me të cilat i shënova Interit.  Mund t’i shikoj dhe të them që i shënova Interit. Mund t’i vë në kornizë”. Sulmuesi ka edhe një ëndërr, që e thotë hapur në fund:”Ëndrra ime është Bundesliga, pasi më pëlqen atmosfera atje. Stadiumit janë gjithmonë plot”. /abcnews.al

Olainka në aksion me Messin

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!