Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel reagoi duke e cilësuar skandal ndërkombëtar devijimin e detyruar të fluturimit të “Ryanair” në Minsk.
Michel tha se sanksionet e reja kundër regjimit të Lukashenkos do të viheshin sonte në tryezë. “Nevojitet një përgjigje e ashpër” tha ai, duke shtuar se “jeta e qytetarëve të zakonshëm evropianë ishte vendosur në rrezik“.
Sipas një diplomati evropian, incidenti do të jetë tema kryesore në samitin e liderëve të lartë të BE-së mbrëmjen e sotme.
Megjithatë zyrtarët në Bruksel kanë frikë se unanimitetin e vendimit kundër Lukashenkos mund ta thyejë marrëdhënia miqësore e kryeministrit hungarez Viktor Orban me diktatorin bjellorus.
Por cilat janë sanksionet që mund të merren kundër Bjellorusisë?
Së pari, hetimi i ICAO(Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) për çdo shkelje të rregullave ndërkombëtare të aviacionit.
Së dyti, po diskutohet bllokimi i hapësirës ajrore bjelloruse nga linjat ajrore europiane.
Së treti, ndalimi i uljes së linjës ajrore bjelloruse, Belavia në territorin e BE-së.
Së katërti, ndalimi në pikat e kalimit kufitar nga Bjellorusia në BE.
SHBA dhe BE akuzojnë Bjellorusinë lidhur me ngjarjen e së dielës, kur autoritetet e saj detyruan një avion të bënte një ulje emergjente në Minsk pas një kërcënimi me bombë dhe më pas arrestuan një gazetar, i cili kritikon Presidentin autoritar Alexander Lukashenko.
db/ Abcnews.al