Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, flet avokati i të arrestuarve: Nuk u paraqitën prova, vetëm disa fotografi

schedule12:43 - 31 Janar, 2020

schedule 12:43 - 31 Janar, 2020

Ditën e sotme Gjykata Penale caktoi masën e sigurisë  “arrest me burg” pa afat, për 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Për këtë vendim avokati i të pandehurve, Arbër Hoxha deklaroi se në gjykatë Prokuroria nuk kishte dorëzuar pamje nga resorti por vetëm foto bardh e zi, që sipas tij nuk dalloheshin personat që ndodheshin në të.

Po ashtu avokati Hoxha tha se i mbrojturi prej tij, Elton Hajri nuk ka qenë në resort dhe nuk ka patur asnjë kontakt me pronarët e resortit prej vitesh.

“Është bërë e modës që edhe pas ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale të vitit 2017 përsëri ende edhe sot as të dyshuarit, dhe as mbrojtësit, nuk njihen qoftë edhe me dyshimin e arsyeshëm, dhe me provat të cilat organi i akuzës serviri si të mirëqena përpara gjykatës.

U servirën disa pamje filmime, të cilat për hir të së vërtetës, nuk janë parë as nga të dyshuarit, dhe as nga mbrojtja, dhe gjykata e ka marrë të mirëqenë se ekzistojnë.

Në këto kushte është bërë e modës caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg” për çfarëdolloj vepre penale, edhe për vepra më të lehta.

Për sa i përket të dyshuarve të mbrojtur prej meje konkretisht të Elton Hajrit, ai është një shtetas me arsim të lartë, ka punuar përpara disa vitesh në këtë resort, dhe për shkak të kësaj ka një automjet furgon, i cili dyshohet se është përdorur për zhdukjen e personit të prezumuar si i vdekur.

Ndërkohë gjatë kësaj periudhe kohore, nuk ka qenë kurrë në këto ambiente, dhe nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi personal apo ndërpersonal, fizik me këtë resort.

Në asnjë moment nuk kemi parë asnjë pamje filmike, madje edhe gjykata i kishte të printuara si fotografi.

Në pamjet e printuara, bardh e zi nuk dallohej asgjë. Fakti që mund të kenë qenë ose jo, ditën e ngjarjes në resort, nuk provon asgjë në lidhje me veprën penale.

 Prokuroria pretendon se provat që disponon provojnë ngjarjen por nuk paraqiti asgjë në gjykatë”, tha avokati Arbër Hoxha./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!