Ka nisur viti i ri akademik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Nga një vëzhgim i bërë nga gazetari i ABC Simon Shkreli, rezulton se pjesa dërrmuese e studentëve janë vaksinuar vetëm për të mos humbur vitin akademik.
Në të kundër, siç shprehen vetë ata, nuk do të ishin vaksinuar pasi mendojnë se duke qenë të rinj mund ta kalojnë më lehtë sëmundjen. Nga ana tjetër, ka edhe studentë që nuk pranojnë të vaksinohen dhe kanë zgjedhur që të dorëzojnë testin PCR një herë në javë.
Gazetari Shkreli, duke cituar burime nga Universiteti, raporton se rreth 5 për qind e totalit të studentëve janë vaksinuar. Ndërsa, rektorja e Universitetit Suzana Golemi deklaroi se 30 për qind e studentëve janë vaksinuar me një dozë deri më tani.
Golemi u bëri thirrje atyre që nuk janë vaksinuar ende që ta shfrytëzojnë këtë javë dhe të ndërgjegjësohen.
Sipas saj, nga tre qendra vaksinimi që janë hapur në ambientet e universitetit, vetëm 50 studentë janë vaksinuar. Nuk dihet ende se si do të veprohet në ditët në vijim që studentët të mos humbasin vitin. /abcnews.al/