Rrëfimi prekës i të përndjekurit politik: 30 vite në kërkim të eshtrave të babait dhe vëllait

schedule22:54 - 13 Shtator, 2021

schedule 22:54 - 13 Shtator, 2021

Në Shqipëri edhe pas tridhjetë vitesh të përmbysjes së regjimit komunist rreth 4 mijë familje janë në kërkim të eshtrave të të afërmve të tyre që u vranë si të burgosur politikë.

Taip Hoxha është njëri prej atyre që nuk ka arritur të gjejë eshtrat e bababit dhe të vëllait që u pushkatuan nga regjimi. Përpjekjet e tij, si në rrugë shtetërore edhe në takime me dëshmitarë të kohës, nuk kanë dhënë rezultat, por zoti Hoxha thotë se do t’i vazhdojë kërkimet deri në frymën e fundit. Bashkimi Europian po mbështet kohët e fundit në Shqipëri Autoritetin e Dosjeve në rritjen e ndërgjegjësimit për të pagjeturit e vrarë gjatë komunizmit.

75 vjeçari Taip Hoxha shfleton një numër dokumentesh që përmbajnë komunikime të tij në këto 30 vite me autoritetet shtetërore në kërkim të eshtrave të babait dhe vëllait të tij që u vranë nga regjimi komunist. Babai, Manxhar Hoxha, nga Kolonja e Gjirokastrës, e la dy vjeç Taipin dhe tre fëmijë të tjerë dhe u arratis por u kthye me një grup për të pëmbysur regjimin, ra në pritë dhe u vra në afërsi të Gjirokastrës.

“Kur ishte në arrati babai kishte kontakt me emisarët anglezë dhe kthehet në Shqipëri me një grup për të përmbysur regjimin komunist. Kjo siç ma kanë treguar të tjerët sepse unë nuk e mbaj mend babain pasi kam qenë dy vjeç kur ai u vra. Në Shqipëri ndiqej nga forcat e sigurimit dhe bie në pritë në gushtin e viti 1949 dhe vritet”

Taipi thotë se familjen e ndanë kur babai u arratis dhe pas vrasjes së tij e dërguan sërish në fshatin e tyre, Kolonjë.

“Na ndanë në tre pjesë, gjyshja dhe unë në një vend, nëna dhe motra që sa kish lindur në një vend tjetër dhe motra me vëllain në një vend tjetër që të mos e shihnim njëri tjetrin. Kur e vranë babanë na dërguan sërish në Kolonjë.”

Bazuar në dëshmitarë të kohës Taip Hoxha i kërkoi eshtrat e babait në zonën e fshatit Zenelaj në Gjirokastër, ku një djalë atëherë 18 vjeç, kishte marrë pjesë në varrosjen e babait dhe ia kishte dëshmuar këtë Taipit pas viteve nëntëdhjetë kur komunizmi u përmbys në Shqipëri.

“Në 1991 gjeta njerëzit që ishin gjallë që e ksihin varrosur atje dhe kemi kërkuar atje por nuk gjejmë asnjë lloj gjurme. Na thanë dëshmitarë më vonë se mund të jetë zhvendosur ,por se ku edhe sot se dime”.

Por familja Hoxha do të përjetonte një tjetër persekutim kur vëllai i Taipit, Ahmeti arrestohet sapo mbushi 18 vjeç për tentativë arratisje me akuza të stisura nga sigurimi i shtetit.

“E kanë arrestuar për tentativë arratisjeje dhe siç thonë dokumentet dhe për rrëzimin e pushtetit dhe e kanë dënuar 20 vite burg. Arrestimi për tentativë i është bërë në fshat, në Kolonjë e cila është kilometra larg nga kufiri”.

Ahmeti dënohet me 20 vite burg dhe pas pesë vitesh tenton të arratiset, por kapet dh dënohet edhe me 25 vite të tjera.

“Ishin tre shokë, morën makinën e kampit në mes të ditës dhe u arratisën, por kishin disa ditë pa buke. Njëri nga shokët pas pesë ditësh i tha se do shkonin tek një kushëri i babait të tij. Pasi shkuan ai i priti, u dha ushqim dhe kur po flinin, i spiunoi dhe i kapën”.

Pas dënimit të dytë Ahmet Hoxha njihet për një tjetër arratisje nga burgu famëkeq i Spaçit ku pas këtij akti kapet, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet. Familja nuk mund ti merrte eshtrat e Ahmetit sepse nuk e lejonin ligjet e kohës.

Taip Hoxha thotë se bëri kërkime familjare dhe mori kontakte me personat që rezultonin në skuadrën e pushkatimit, por pa rezultat.

“Në 91 s`kam lënë më njeri dhe skam lënë më vend pa pyetur e pa kërkuar. Fillimisht kam shkuar tek Vaskë Dimoshi, tek prokurori. Na ka thënë nuk mbaj mend gjë. Kam dërguar njerëz, shokë të vëllait tim tek përgjegjësi i hetuesisë, Sokol Shazi, nuk ka pranuar, nuk di gjë, ka thënë. Kam kërkuar policët që qenë në listën e pushkatimit, kam gjetur Zeqir Lalën, të cilit i shkuan njerëzit e mij , ia kërkuan si nder të tregonte dhe s`ka pranuar. S`kam qenë unë atje, tha,ndërsa në dokumentin e skuadrës së pushkatimit, që kam marrë në Ministrinë e Brendshme, rezulton emri i tij”.

Zoti Hoxha thotë më tej se u shkroi autoriteteve më të larta, por edhe përgjigja përfundimtare e Ministrisë së Brendshme nuk dha rezultat.

“Pasi i humba shpresat nga kërkimet familjare i bëra kërkesë autoriteteve më të larta Presidentit ,kryetarit të Palmentit. Kryeministrit dhe më kthyen përgjigje se ia kanë deleguar Ministrit të Brendshëm. Ministrit të Brendshëm unë i kërkova eshtrat, sipas ligjit, por ai më kthen përgjigje se vëllai është varrosur në rrugën e Kaçinarit, varianti i druve. Në përgjigjen e Ministrit të Brendshëm rezulton se pushkatimi i vëllait është bërë më 5 qershor dhe jo në 31 janar siç thonë të gjitha dokumentet e nxjerra nga arkivat”.

Së fundi Taip Hoxha i ka shkruar kryeprokurorit të Lezhës duke kërkuar një hetim për vendvarrimin e vëllait dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Në gjithë këtë kalvar kërkimi për tridhjetë vite Taip Hoxha thotë se nuk do t’i rreshtë përpjekjet deri në frymen e fundit.

“Nuk rresht së kërkuari deri sa të kem fuqi të hipi në makinë, të vete atje ku kam sinjal”.

Kërkimi i eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist edhe pas tridhjetë vitesh mbetet një sfidë për familjet dhe të afërmit e tyre. Sipas të dhënave të institucioneve të specializuar rreth 6.000 persona janë ekzektuar me vendime gjyqi si të burgosur politikë.

Prej këtyre, familjarët kanë mundur ti gjejnë rreth 2 mijë në dy vitet e para pas shembjes së regjimit komunist, ndërsa mbeten për t`u gjetur edhe 4 mijë. Bashkimi Europian po mbështet në Shqipëri Autoritetin e Dosjeve në rritjen e ndërgjegjësimit për të pagjeturit e vrarë gjatë komunizmit. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!