Rrëfimi i rrallë i Simon Mirakajt: Ç’më tha miku miku i Mehmet Shehut, ish-oficeri i Sigurimit, që vuajti 10 vite burg

schedule07:49 - 24 Dhjetor, 2023

schedule 07:49 - 24 Dhjetor, 2023

Nga Simon Miraka

Po shkoja drejt “Tajvanit”, për të pirë një kafe. Ishte një ditë e bukur dimri me diell, po shikoja të gjej një tavolinë, përballë shatërvanit. Ndigjoj një zë që më thërret: – “O Mirak, eja…”! Kthej kokën, shikoj një të moshuar në tavolinë, ishte vetëm. Ju afrova: – “Ulu”, më thotë me një zë urdhërues. – Nuk po më njeh”?! – “Jo më fal, nuk po të njoh”. – “Jam I.S.”!

Idriz Seiti quhej, kur më tha emrin të cilin e kisha hasur në dokumentet e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si një oficer madhor i ish-Sigurimit të Shtetit, desha të ngrihem, por e mbajta veten. Kamerieri erdhi dhe porosita një kafe.

– “Të lutem sa bëjnë këto” dhe i nxora lekët.

– “Të thirra unë”, tha I.S.

– “Faleminderit, por kafen do e paguaj unë”.

– “Mirë faleminderit…”!

Ishte i veshur si mos më keq, me t’u dhimbtë.

– “Edhe unë kam bërë burg z. Mirakaj, mbas vrasjes së Mehmet Shehut, u arrestova si një mik i tij, më dënuan 10 vjet, i bëra në Burrel”.

– “Ju mor zotëri, nuk ishit kundra diktatorit, se i shërbyet me një zell të madh, por ishte ai kundra jush”, i them unë dhe vijova:

– “Po a mund të të bëj një pyetje, si ka mundësi që nuk u bëtë burra një herë?! Por ju vuri Enver Hoxha kundra njeri tjetrit (duke vrarë), e filluat me Zai Fundon, Mustafa Gjinishin e, të tjerë! Kurse ne, e dinim se çfarë do ndodhte me Enver Hoxhën e të tjerë”.

– “E more zoti Mirakaj, ne nuk kemi qenë burra, por një tufë kriminelësh”, dhe i dridhej buza.

– “Unë emrin tuaj, e kam hasur në dokumenta, se kam punuar disa vite në arkivin e Ministrisë së Punëve Brendshme, ke qenë me pozitë të lartë, në ish- Sigurim, ke qenë kryetar Dege, etj”.

– “Po është e vërtetë, keni gjynahe në kurriz”.

– “Krimet që keni bërë ju mbi njerëzit e pafajshëm, nuk ka det që i lanë”.

– “Po ke të drejtë, unë kam ndjekur dhe babain tënd në mal, po ta kishim zënë, do e kishim vrarë”.

– “A keni trashëgimtarë (fëmijë)”? i thashë unë.

– “Ehh, kisha dy djem, njërin ma mbytën, tjetrin ma çmendën, po pe një burrë me çantë të zezë në krah, me libra, ai është im bir”. “Ti, – m’u drejtua – mbahesh mire, ju keni vuajtur shumë”.

– “Më vjen keq, po ju përgjigjem, pse unë mbahem mirë. Unë mbahem mire, se i kam besuar Zotit, ju jeni në këtë gjendje, sepse i besuat djallit.

– “Do kisha dëshirë, të rrija me ju, se jeni burrë i mirë, se unë ju njoh mirë si familje, por po çohem se nuk ndihem mirë. Po u bëra mirë, do shihemi prap, se dua të flas me ty, se di shumë gjëra”, – më tha.

U ngrit, mezi tërhiqte këmbët. E përcolla me sy me keqardhje, pantallonat i kishte lidhur me spango. Takimi tjetër nuk u bë i mundur, mbasi për pak kohë, ai ndërroi jetë./Memorie.al