Rrefimi i Anilës që humbi burrin nga virusi në Itali: Qëndroni në shtëpi, ai ndjeu shqetësime pasi u kthyem nga Shqipëria

schedule11:35 - 1 Prill, 2020

schedule 11:35 - 1 Prill, 2020

Në dy mars Anila Kazazi ishte e dërrmuar nga humbja e nënës së saj. Pas funeralit, së bashku me Adrianin dhe dy fëmijët e tyre, udhëtuan drejt Italisë, aty ku jetonin dhe punonin prej 30 vjetësh.

Por kur arritën në shtëpinë e tyre në Romë, bashkëshorti i saj filloi të ndihej keq. Ata nuk e menduan Covid-in, pasi vinin nga Shqipëria ku ende nuk kishte asnjë rast të konfirmuar. E pamundur të dalë përpara kamerës, Anila e rrëfen historinë e saj përmes kësaj letre drejtuar “ABC News”.

“Ne ishim të katërt në Tiranë nga data 20 shkurt deri në datën 2 mars për të asistuar mamanë time në spital dhe më pas për funeralin e saj. Kur u kthyem më datë 2 mars në Romë, Adriani ishte me temperaturë dhe ka ndenjur një javë në shtëpi me simptoma gripi, pak temperaturë dhe shumë kollë, por asnjë nuk dyshoi për koronavirus, pasi në Tiranë akoma nuk kishte asnjë të deklaruar zyrtarisht”, shkruan ajo.

Adriani shkoi në punë në 9 mars, por nuk e pranuan duke i kërkuar vërtetim mjekësor.

 “Ai u vizitua dhe mjeku i dha 1 javë tjetër pushim, pasi akoma nuk ishte shëruar. Nga mesi i javës së dytë, ai pati një përkeqësim, i filloi temperaturë e lartë, pa kollë, por mjeku i familjes  e këshilloi të rrijë 5-6 ditë në shtëpi me paracetamol dhe vitamina C. Telefonova nr.112 (shërbimin e ambulancave), por më qetësuan duke më thënë së meqë nuk ka pasur kontakte me persona nga veriu i Italisë, meqë nuk ka kollë dhe pengesë në frymëmarrje, nuk ka problem”, shprehet Anila.

Por gjendja u përkeqësua, dhe në 16 mars, më në fund ambulanca erdhi dhe e mori në shtëpi.

“Ditët e para e futën në terapi intensive me oksigjen, gjendja nuk ishte e rëndë, temperaturën ia ulën që ditën e parë. Komunikonte me ne me video telefonata dhe mesazhe.

Në datë 19 mars u përkeqësua dhe e çuan direkt në reanimacion. Nga ai moment e futën në intubim me sedativ dhe ne i humbëm lidhjet. Çdo pasdite mjekët na njoftonin për gjendjen dhe për fatin e keq të tij dhe tonin, ai keqësohej vazhdimisht deri sa më datë 27 mars në darkë më dhanë lajmin që nuk doja ta dëgjoja kurrë”, tregon ajo në letrën e saj.

Anila nuk mundi të ishte pranë shokut të tij të jetës në çastet e fundit të jetës.

“Ne ishim në karantinë dhe nuk mundëm të shkojmë në spital për ta parë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Për më tepër nuk mundëm as t’i bëjmë nderet e fundit, një varrim dinjitoz siç e meritonte”.

Ardiani dhe Anila kishin ndarë bashkë 33 vite jetë, dhe ajo tregon se i shoqi nuk kishte probleme shëndetësore të tjera.

“Adriani nuk ka pasur kurrë probleme shëndetësore, madje ka qenë sportist amator, merrej me hedhje çekiçi. Askujt nuk i besohej se nuk do rezistonte, por për fat të keq, ky virus nuk do t’ia dijë as për moshë, as për gjendje të mirë shëndetësore”.

Anila Kazazi e humbi të shoqin, po nuk do që pakujdesia tu marrë edhe të tjerëve të dashurit e tyre, ndaj ka këtë apel.

“Ju lutem, qëndroni në shtëpi, respektoni rregullat e higjienës, ruani shëndetin tuaj, të familjarëve, kolegëve dhe të miqve tuaj.  Ne jemi të mbyllur në shtëpi nga data 9 mars, të sëmurë vetë me korona virus, me një familjar që ndërroi jetë dhe arrijmë të durojmë.

Ka kaq shumë gjëra të bukura për tu bërë në shtëpi, mbi të gjitha të gëzoni njeri-tjetrin, të diskutoni, të shijoni çdo moment të jetës, të lexoni, të telefononi miqtë dhe të gjitha ato gjëra që nuk i bëjmë dot në kushte normale, ku ritmet e punës dhe problemet e përditshme të bëjnë të humbasësh qëllimin kryesor të jetës, të jesh i lumtur”.

Anila, Davidi e Klevizi, nuk do ta kenë më Ardianin. Por 61 vjeçari nuk do t’i mungojë vetëm familjes. Në 25 vitet e fundit ai ishte inxhinier pranë Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Agrokulturës, FAO. Flamuri i institucionit u ul në gjysmë shtizë kur Ardiani ndërroi jetë./abcnews

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!