Në një intervistë mjaft interesante për Tuttosport, Javier Zanetti, 49-vjeçari argjentinas ka folur për hapat e tij të parë në futboll, fëmijërinë në Argjentinë dhe sigurisht përkushtimin ndaj Nerazzurrëve, ndërsa ndër të tjera nuk ka ngurruar të kujtojë disa histori të panjohura transferimi.
5 herë kampioni i Italisë me fanellën e skuadrës së Milanit, rrëfeu atë që ndodhi në verën e vitit 2001 dhe thashethemet që e donin pranë Real Madridit dhe nuk hezitoi të zbulojë histori mjaft interesante për Sir Alex Ferguson.
Për Real Madridin:
“Kam folur me drejtorin e atëhershëm sportiv të Real Madridit, Jorge Valdano, ai më donte në Madrid, gjithçka ishte rregulluar, por në momentin e fundit e informova Morattin se dua të qëndroj te Inter. Më kishin ofruar një kontratë shumë më të madhe nga ajo që kisha këtu. Edhe pse paratë ishin më shumë në Madrid, mendoja për familjen time, marrëdhënien time me tifozët dhe sigurisht faktin që këtu doja të lija gjurmë. Mendova se nëse shkoja te Reali do të isha një nga të shumtët dhe patjetër do të fitoja tituj, por doja ta bëja këtu dhe ky ishte një nga vendimet e shumta të rëndësishme dhe të vështira që mora”.
Për Sir Alex Ferguson:
“Më kanë kontaktuar edhe Manchester United në 2001 ose 2002, nuk e mbaj mend saktësisht. Unë isha në aeroport me gruan time Paula dhe më pas pashë Ferguson. Ai m’u afrua dhe më pyeti se kur mbaron kontrata ime me Interin, por isha i lumtur në Milano, pavarësisht se ishin vite të çuditshme dhe të vështira për ekipin. Kudo tjetër mund të kisha pasur një karrierë të shkëlqyer, por askund nuk do ta gjeja veten si te Interi”. /G.D abcnews.al/