Astrit Shoti është piktori i njohur shqiptar, që po dekoron Romën historike. Ai ka 30 vite që punon në shtetin italian dhe arti i tij është më i spikaturi. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Shoti ka ndarë detaje nga karriera e tij dhe nga punët aktuale.
Ai ka theksuar se tashmë ka shumë klientë në Romë, por që mundohet t’i përzgjedh.
“Unë vetëm penelin kisha kur ika në Itali, gjuhën nuk e dija, por fliste vetë peneli dhe kështu gjeta rrugën time në Itali. Ishte dëshira ime për të vajtur në një vend të artit që kisha një ëndërr dhe kjo ëndërr mu realizua. Po bëj 30 vite që jam larguar.
Unë e kam filluar që fëmijë karrierën, pasi që atëherë kisha pasion për artin. Babai ma stimuloi dhe gjatë gjithë kohës pata shtytjen e babait. Si çdo emigrant shqiptar u largova për një mundësi më të mirë, për të parë më tej në fushën e artit.
Aktualisht, mua në Romë më kërkojnë, jam në një staf që e zgjedh klientelën. Tani kam mbaruar një lokal në sheshin e Koloseut, është një restorant me dekore të vjetra antike. Duhet t’i përshtatesh ambientit dhe padyshim Romës.
Kam vajtur në Gjermani dhe kam bërë dyqane të Fendit, gjithashtu në Londër kam bërë po dy dyqane të Fendit. Kam bërë punimet në disa nga qendrat komerciale më të mirat të botës”, u shpreh Shoti./abcnews.al