Portieri i Bylisit, Isli Hidi, ka besim se skuadra e tij do të arrijë suksese të tjera në Superligë, pas atij ndaj Partizanit. Ish-portieri i kombëtares thotë në intervistën për “Abc News” se në futboll vlen më shumë puna sesa emri i madh.
Në moshën 39-vjeçare nuk ka ndërmend të tërhiqet. Isli Hidi, portieri i Bylisit, i ngjan një Dino Xofi apo Piter Shiltoni modern, ndjen sikur ka edhe 10 vjet karrierë, ndërsa është i lumtur me skuadrën e tij, që këtë javë mundi Partizanin në Superligë.
Ish-portieri i kombëtares gjykon kështu në intervistën për Abc Neës. “Kemi bërë shumë ndeshje të mirë, ku kemi mundur Tiranën, Kukësin, Partizanin. Pra kemi bërë shumë paraqitje të mira . Besoj se në një ekip emrat dhe kualitetet duhen, pro më shumë në futbollin e sotëm vlen fryma e grupit dhe dëshira te çdo futbollist për të fituar dhe për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Kjo është kryesorja”, shprehet fillimisht portieri i ballshiotëve.
Bylisi ka mjaft lojtarë të rinj në përbërje, a mund të ndikojë kjo për keq deri në fund të sezonit? “Duke punuar përditë dhe duke folur, sidomos ne lojtarët me eksperiencë, duke u dhënë qetësinë që duhet në futboll, çdo gjë arrihet. Sigurisht me punë dhe dëshirë, nuk është se kanë të bëjnë emrat dhe eksperienca”, shton Hidi.
Superliga është në ekuilibër, diçka e mirë, apo kjo vjen ngaqë klubet nuk kanë projekte afatgjata? “Nuk mund ta them, pasi ka ekipe si Kukësi e Partizani me organikë shumë të mirë dhe besoj që janë klube që kanë projekte, sikurse është edhe Tirana. Kemi Teutën që rritet nga viti në vit dhe është në vendet e sipërme”, deklaron “gardiani”.
Pavarësisht vlerësimit për Superligën, Hidi pohon se përshtatja me realitetin shqiptar pasi luajti jashtë, nuk ishte e lehtë. “Këtë gjë unë e kam kaluar vetë në momentin që jam rikthyer nga Ukraina te Dinamo. Duhet ta themi që vija te Dinamo që ishte kampion dhe luante në Champions League. Përshtatja është shumë e vështirë, do kohën e duhur që të nisësh të mendosh që je përsëri në Shqipëri. Kemi shumë disnivel me kampionatet e huaja , por megjithatë kemi rritje. Vite më parë ishte si luftë kur shkojë në ndeshje futbolli”, analizon portieri i Bylisit.
Hidi është një prodhim i akademisë së Tiranës, çfarë mendon ai për krizën e ekipit të zemrës? “Deri para tre javësh që e kam ndjekur, nuk është se ka zhvilluar ndeshje të këqija. Këto ndryshimet e trajnerëve duket se nuk i bën mirë Tiranës për mendimin tim. Kemi rastet e Bylisit dhe Teutës, ku presidentët u japin besimin një trajner që në fillim. Frytet besoj se do të jenë më të mëdha në këto ekipe. Tirana i ka lojtarët dhe është në kohë për të bërë ndryshimin”, ka përfunduar Hidi. / abcnews.al