Endri Sina kompozitori i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në muzikën shqiptare, vjen këtë herë në një rrëfim për jetën e tij në Pas Mesnatë në ABC Neës.
Ai ka kompozuar muzikë për një sërë dramash teatrale, duke krijuar një traditë të veçantë në këtë fushë. Puna e tij është vlerësuar për aftësinë për të përcjellë emocionet e aktorëve dhe për të krijuar një atmosferë të veçantë në skenë.
Së fundi, Sina kishte fatin të bashkëpunojë me Margarita Xhepën, në filmin ‘Bolero, në vilën e pleqve’, ndërsa ndan përjetimet e tij në shesh xhirim.
“Është shumë prekëse, janë figura që me to jemi rritur. Margarita është margaritari i të gjithë këtyre aktorëve dhe filmave të mrekullueshëm që na kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sonë, edhe për mua ishte fat që bëmë këtë film, që në mos gaboj ishte filmi i parafundit. Një moment shumë I dashur kur në takimin e kastit u paraqitën të dy figurat e mëdha, Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika, ishte shumë dashamirëse të takoheshim me ta. Me Robertin isha edhe në momentin e filmimeve. Duhet të tregonim edhe duart e Robertit që luanin këtë pjesë, gjetëm një mënyrë ndryshe të realizimit të saj.” Rrëfen ai ndërsa tregon edhe detajin emocionues gjatë xhirimeve të filmit.
“Në pjesën ku Roberti luan në piano, unë kam vendosur duar e mia dhe më pas plani kalon në portretin e tij. Për ta bërë sa më reale skenën, Roberti më dha unazën e tij të martesës duke më thënë se është hera e parë që e heq nga dora këtë unazë. U emocionova vërtetë, për një gjest të tillë, që Roberti u detyrua ta bëjë për hir të punës.” kujton ai.
“Prej tyre gjëja e parë merr thjeshtësinë, modestinë, duket sikur i ke njerëz të shtëpisë, i ke njohur prej kohës, asnjë prej nuk ka asnjë shenjë mendjemadhësie. Dhe ndoshta kjo është vlera e parë e një artisti shumë të madh. Qoftë Margaritën qoftë Robertin i shikoja si të ishin prindërit e mi” rrëfen ai./abcnews.al