Një jetë e shkuar mes pikturës dhe restaurimit, Adrian Çene vjen në një rrëfim në Pas Mesnatë në ABC News, mbi të bukurën, vështirësitë e sfidat e karrierës së tij.
“Jemi duke restauruar Manastirin e Spilesë, kishën e Shën Mërisë mbi Antigone. Është brenda fushës së artit, ndihem i lirë i bëj të dyja me qef. Ka edhe pjesën e aventurës, vështirësisë, të papriturës, dhe në fund merr rezultatin që shpëton një objekt nga rrënimi apo një pikturë murale që i përket trashëgimisë kulturore. Kur pikturoj merrem vetëm me të, kur kam restaurim merrem vetëm me restaurimin, nuk i përziej të dyja”, u shpreh ai, ndërsa shton se për të piktura është gjithcka.
“Piktura për mua është qënia ime, pa të ndoshta do isha bosh, i zbrazët”, vijon Cene, ndërsa thotë se pikturën e nisi në klasën e katërt fillore në Pallatin e Pionerëve,” kujton ai.
Që në fillimet e tij, Çene u orientua drejt formave abstrakte, duke thyer skemat tradicionale dhe duke eksperimentuar me ide dhe struktura që sfidonin realizmin e kohës. Vitet ’90 shënojnë për të një periudhë kërkimi intensiv, ku arti u bë mjet lirie dhe reflektimi. Një moment kyç në karrierën e tij ishte viti 2000, kur në Paris hapi ekspozitën e tij personale. Pikërisht aty, siç rrëfen vetë, mori “bekimin” artistik, një konfirmim ndërkombëtar që i dha forcë dhe besim për të vazhduar rrugën e tij krijuese. Vlerësimi nga figura të njohura të kritikës së artit, si Vittorio Sgarbi dhe kritikë të tjerë, u kthye në vulën e suksesit për Adrian Çenen, duke e pozicionuar atë si një artist me identitet të formuar dhe zë të veçantë./abcnews.al


